Tre të rinj janë plagosur me thikë në Lushnje nga një person rreth 40 vjeç vetëm për një fjalë goje.

Mësohet se tre kushërinj ishin duke pirë kafe kur një bashkëfshatari i tyre iu afrua duke i vënë në lojë me fjalë.

Ngjarja ka precipituar kur më pas janë përdorur edhe thikat duke lënë të plagosur tre persona.

Ngjarja ndodhi në një kohë të shpejtë, duke mos iu dhënë mundësinë as të mbrohen dhe as klientëve të tjerë të ndërhyjnë. Sipas burimeve të Policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:30, në një lokal në fshatin Shën e Premte në Divjakë.

Kujtim Imeri, 40 vjeç, është konfliktuar me shtetasit B.G. 67 vjeç, A.G. 21 vjeç dhe D.G. 26 vjeç, banues në fshatin Shën e Premte, ku gjatë konfliktit i ka qëlluar me thikë. Tre të plagosurit u dërguan në Spitalin e Lushnjës, ku pas ndihmës së marrë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq, pas plagosjes, Imeri u largua nga vendngjarja, por si rezultat i reagimit të shpejtë të Policisë, ai u kap dhe u arrestua pak më vonë nga Policia e Divjakës. Mësohet se autori Kujtim Imeri është person me precedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe ka qenë i dënuar më parë për plagosje me thikë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re