Skip to content

U vetëdorëzua pas 1 viti e gjysmë në arrati, ish-burri i Xhuana Nikollit rrëfehet para gjykatës: E dhunova një ditë para se të vriste veten, por…

Xhuana Nikolli1

Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit, e cila i dha fund jetës pas dhunës së ushtruar nga i riu, doli përpara Gjykatës së Tiranës, ku u njoh me masën e arrestit me burg. Ndaj Fizit, prokuroria ka ngritur akuzat e shkaktimit të vetëvrasjes dhe dhunës në familje. Ai u vetëdorëzua në Policinë e Lezhës pas më shumë se një viti e gjysmë në arrati.

Gjatë seancës, Fizi është shprehur se gjendja e tij psikologjike është e rënduar dhe se do të përballet me pasojat që ka shkaktuar. Ai ka pranuar se e ka dhunuar Xhuanën një ditë përpara se ajo t’i jepte fund jetës, por ka kundërshtuar pretendimet se dhuna ka qenë e vazhdueshme. Lidhur me rrethanat e ngjarjes, Eraldo Fizi është shprehur se do të japë shpjegime në një moment të dytë.

Xhuana Nikolli ndërroi jetë në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u paraqit për ndihmë pasi kishte konsumuar fostoksinë. Pas divorcit, ajo ishte larguar nga Lezha dhe jetonte me mikeshat e saj në një shtëpi me qira në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se, para se t’i jepte fund jetës, Xhuana ishte dhunuar dhe i dyshuar ishte Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti. Lidhur me këtë ngjarje, nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke u zhvilluar një hetim mbi zyrtarët e policisë, për të vlerësuar nëse i kanë marrë të gjitha masat për hetimin e rastit.