Prokuroria e Tiranës ka përfunduar kontrollin e telefonave të Anisa dhe Zhaneta Josifit, nënë e bijë që u vetëflijuan pesë muaj më parë në Kombinat.

Nga verifikimet ka rezultuar se anëtaret e familjes Josifi nuk kanë patur asnjë komunikim me mesazhe apo ëhatsapp me persona të tjerë.

Ky është konkluzioni që kanë arritur deri tani ekspertet teknikë  që kanë  bërë kqyrjen teknike  të aparateve telefonike të dy vajzave, Blertës dhe Anisës, si dhe nënës së tyre Zhanetës.

Ekspertët  kanë rikuperuar mesazhet e fshira por nuk kanë konstatuar komunikime të kësaj natyre, për nxitje në vetëvrasje.

Por pavarësisht këtij rezultati, organi i akuzës është ende në pritje të përgjigjeve nga kompanitë telefonike për të parë komunikimet me anë të thirrjeve telefonike, e për të kuptuar se më cilët persona kanë pasur komunikimet e fundit dy viktimat apo e mbijetuara.

Ndërkohë  grupit hetimor i është dorëzuar  ekspertiza mjeko-ligjore e trupit të dy viktimave, shkruan Ora News.

Ekspertët kanë përcaktuar si shkak të vdekjes të Zhaneta dhe Anisa  Josifit mosushqyerjen dhe të njëjtin fat do të kishte edhe e mbijetuara Blerta nëse nuk do të ishte ndërhyrë.

Ndërkohë që hetimin nuk e ka ndihmuar marrja në pyetje e të mbijetuarës, e cila ka vijuar ti qëndrojë deklaratave që ka dhënë edhe më parë, duke besuar në ringjallje.

Ngjarja e rëndë ndodhi në muajin korrik të këtij viti në  kryeqytet ku pas denoncimit të familjarëve policia gjeti trupat e pa jetë të Anisës dhe Zhaneta Josifit ndërsa në gjendje të rënduar Blerta Josifin.

Dyshimet janë se viktimat kanë vdekur nga mosushqyerja si pasojë e sakrificës së tyre, duke besuar në ringjallje.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re