27-vjeçari Mario Metaj i ekzekutuar pasditën e të Hënës në Greqi, është emër i njohur për autoritetet greke por sidomos për blutë e Vlorës në Shqipëri. 27 vjeçari rezulton në listën e personazheve problematik të bandës së Çolës ku në vitin 2012 është arrestuar për një sërë grabitjesh.

Në vitin 2010 u grabit një bankë në qytetin bregdetar në kërcënimin e armës, ku një nga autorët e arrestuar ishte dhe Metaj. Nga operacionj “Sfida 2” në atë kohë ranë në pranga edhe shtetasit Nardi dhe Joni Idrizi, të dy vëllezër të arrestuar 2 vite pas ngjarjes.

Ndërsa falë bashkëpunimit ndërkombëtar me strukturat e policisë së Greqisë, është bërë i mundur ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim Mili Veliko, i cili u akuzua për vjedhje me armë, të kryer në bashkëpunim. Më 26 gusht 2012 bashkë me Metajn u vu në pranga edhe Armando Likaj.

Sipas policisë në atë kohë, arrestimi i këtyre shtetasve është kryer pasi nga hetimet ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në 10 raste, nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar, kanë vjedhur disa pika karburantesh, një kazino dhe bankën.

Emrat e mësipërm janë cilësuar rreth një dekadë më parë si anëtarë të bandës së re të Çoles, ku dikur bënte pjesë Zani Çaushi, i dënuar me burgim të përjetshëm. Dyshohet se përveç lidhjeve të afërta me ish-anëtarët e bandës së Çolës, disa nga personazhet e grupit ku bënte pjesë Metaj, mbanin edhe kontakte telefonike me të dënuarit që vuanin privimin e lirisë në burgje.

Nuk dihet nëse atentati që i mori jetën të riut në Greqi ka lidhje me hesapet nga bëmat ku ka marrë pjesë si protagonist në Shqipëri, ndërsa mediat greke citojnë se dyshohet që autorët të jenë shqiptarë dhe ngjarja ka ardhur si shkak i prishjeve të pazareve.

Metaj është vrarë në zonën e kryqëzimit Kourtesis, në Patras dhe dyshohet se autorët (ende të paidentifikuar), janë anëtarët e një bandë rivale shqiptare.

27-vjeçari po lëvizte me automjetin e tij kur një makinë tjetër i ka prerë rrugën duke shkaktuar edhe një aksident përpara se të hapej zjarr ndaj tij. Metaj mbeti i plagosur rëndë por pavarësisht se u dërgua me urgjencë në spital nuk arriti të mbijetojë.

Ndërkohë që sipas mediave greke për ngjarjen janë shoqëruar derimë tani dy persona, ndërsa në konflikt ka qenë i përfshirë më herët dhe vëllai i viktimës, i cili është boksier.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re