Në “Murin e Kujtesës” ku janë të shënuar në formë simbolike me yje, efektivët e policisë të rënë në krye të detyrës, është shkruar emri i Klodian Rashës.

Emri i 25-vjeçarit është shkruar nga protestuesit që janë mbledhur mbrëmjen e së mërkurës për të treguar revoltën e tyre pas vrasjes së Rashës nga një efektiv i “Shqiponjave”.

Protesta vijon akoma, dhe demostruesit nga Ministria e Punëve të Brendshme janë zhvendosur tashmë tek Kryeministria.

Përgjatë Murit të Kujtesës është shkruar emri i të riut me shkronja të mëdha, data e vrasjes si dhe një mbishkrim “RIP”, u prehsh në paqe.

Gjatë protestës ka patur edhe tension dhe përplasje të protestuesve me policinë, të cilët kanë goditur edhe godinën e ministrisë. Ata kërkojnë që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vrasjen e 25 vjeçarit.

Protesta ka qenë e thirrur në rrjetet sociale, kryesisht nga të rinjtë dhe nuk ka patur organizim politik.

Ekzekutimi i Klodian Rashës nga një efektiv policie, pranë banesës së tij, ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagimet të shumta.

Gjatë protestës janë lënduar protestues, efektivë të policisë dhe një gazetar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re