Shefi i Këshillit Kombëtar Palestinez (PNC) Rawhi Fattouh ka paralajmëruar konflikt të hapur me Izraelin në mes të ngërçit në bisedimet e paqes palestinezo-izraelite.
Fattouh tha se komuniteti ndërkombëtar ka afat deri në shtator për t’iu përgjigjur kërkesave palestineze dhe për të mbajtur një konferencë ndërkombëtare për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

“Ne do të çlirohemi nga të gjitha detyrimet tona nëse komuniteti ndërkombëtar nuk përgjigjet dhe nuk mban një konferencë ndërkombëtare paqeje dhe do të ketë konflikt të hapur,” paralajmëroi Fattouh.

PNC është trupi ligjvënës i Organizatës ombrellë për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Të mërkurën, Këshilli Qendror Palestinez (PCC), një asamble më e vogël që rrjedh nga PNC, pezulloi njohjen e Izraelit derisa Tel Avivi të njohë shtetin palestinez me kufijtë e vitit 1967.

PCC me anë të një deklarate tha se kishte vendosur të pezullonte respektimin e të gjitha marrëveshjeve me Izraelin.

Fattouh tha se vendimet e PCC-së do të zbatohen gradualisht, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në vitin 1993, PLO dhe Izraeli nënshkruan Marrëveshjen e Oslos, e cila u dha palestinezëve një formë të vetëqeverisjes. Bisedimet e paqes prej vitesh mes dy palëve kanë dështuar në arritjen e qëllimit palestinez për krijimin e një shteti të pavarur.

Bisedimet e paqes të sponsorizuara nga SHBA-ja dështuan në vitin 2014 për shkak të refuzimit të Izraelit për të ndalur ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme hebreje dhe për të liruar palestinezët e arrestuar para vitit 1993.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re