Udhëheqësit e BE kërkuan që 10 milion doza shtesë të vaksinës BioNTech / Pfizer të shpërndahen midis vendeve anëtare “në një frymë solidariteti”.

Në një deklaratë të përbashkët të miratuar pas samitit virtual, udhëheqësit u kërkuan ambasadorëve të BE që të zgjidhnin çështjen e shpërndarjes së 10 milion dozave.

“Ne konfirmojmë parimin e shpërndarjes së vaksinave në proporcion me numrin e banorëve. Ne i bëjmë thirrje Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të adresojë çështjen e caktimit të 10 milion dozave të vaksinës BioNTech / Pfizer në tremujorin e dytë të 2021 në një frymë solidariteti,” thanë udhëheqësit e BE në një deklaratë. Ata përfunduan samitin e tyre virtual të enjten mbrëma, i cili ishte planifikuar fillimisht të zgjaste për dy ditë, të rnjten dhe të premten.

BioNTech / Pfizer do të shpërndajë 10 milion doza vaksinash në tremujorin e dytë, të cilat ishin planifikuar normalisht për t’u dorëzuar në gjysmën e dytë të vitit.

Këto doza shtesë mund të zbusin disi ekuilibrin në shpërndarjen e vaksinave midis shteteve anëtare për shkak të problemeve me AstraZeneca, e cila do të japë vetëm një të tretën e dozave të premtuara në gjysmën e parë të vitit.

Krerët e BE tregojnë se përshpejtimi i prodhimit, shpërndarjes dhe fushatës së vaksinave mbetet thelbësore për tejkalimin e krizës.

Ata thanë se situata epidemiologjike është akoma serioze, kryesisht për shkak të shfaqjes së shtameve të reja dhe se kufizimet e vendosura për të luftuar infeksionin duhet të ruhen. Në të njëjtën kohë, përgatitjet duhet të fillojnë për një qasje të përbashkët në heqjen gradualisht të këtyre kufizimeve kur lejon situata epidemiologjike.