Konferenca Kanadeze e Peshkopëve Katolikë (CCCB) bëri të ditur se udhëheqësit indigjenë kanadezë do të takohen me Papa Françeskun në dhjetor me shpresën se ai do të kërkojë falje për rolin e Kishës Katolike në shkollat rezidenciale indiane.

Takimet e planifikuara të mbahen midis 17 dhe 20 dhjetorit, janë kërkuar prej kohësh pasi udhëheqësit indigjenë kanë bërë presion për vite me radhë që Papa zyrtarisht të kërkojë falje për rolin e kishës në drejtimin e disa prej 139 shkollave ku fëmijët e popullit indigjen u regjistruan arbitrarisht duke filluar nga vitet 1820.

Përderisa kishat e tjera kanë kërkuar falje zyrtarisht, duke përfshirë Kishat e Bashkuara, Kishën Anglikane dhe Kishën Presbiteriane, Papa i ka rezistuar këtij veprimi, edhe kur ai u nxit ta bënte këtë nga kryeministri kanadez Justin Trudeau, një katolik.

“Papa Françesku është thellësisht i përkushtuar për të dëgjuar drejtpërdrejt nga popujt indigjenë, duke shprehur afërsinë e tij të përzemërt, duke adresuar ndikimin e kolonizimit dhe rolin e Kishës në sistemin e shkollës rezidenciale, me shpresën për t’iu përgjigjur vuajtjeve të popujve indigjenë dhe efekteve të vazhdueshme të traumave ndër gjenerata”, thonë nga CCCB në një deklaratë të publikuar dje.

“Peshkopët e Kanadasë e vlerësojnë thellësisht frymën e të qenit i hapur të Atit të Shenjtë në dhënien me bujari të një ftese për takime personale me secilin prej tre grupeve të veçanta të delegatëve: Kombet e Para, Metis dhe Inuit, si dhe një audiencë përfundimtare me të gjithë delegatët së bashku më 20 dhjetor 2021”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Metis janë njerëz me origjinë të përzier evropiane dhe indigjene, ndërsa Inuit janë banorët e veriut që në një kohë quheshin Eskimo. Kombet e Para ishin banorët origjinal të Kanadasë para ardhjes së kolonëve evropianë.

Presidenti i Federatës së Metisëve në Manitoba, David Chartrand, do të kryesojë një grup dhe ai tha se do të bëjë presion që Papa të vijë në Kanada për të kërkuar falje në emër të kishës.

“Do të ketë një nivel më të madh të fuqisë dhe të vërtetës për ndjenjat e tij dhe rrugën e tij drejt shërimit nëse ai hyn në tokat e Kanadasë dhe qëndron këtu në tokat tona”, tha Chartrand në një intervistë me The Canadian Press.

Rreth 1.000 varre të pashënuara u zbuluan kohët e fundit në dy shkolla rezidenciale, njëra në British Columbia dhe tjetra në Saskatchewan. Është vlerësuar se para se shkolla e fundit të mbyllej në vitin 1996, të paktën 4.000 fëmijë vdiqën dhe ndonjëherë ishin varrosur në mënyrë jozyrtare pa e ditur prindërit e tyre kurrë fatin e tyre.

Rreth 150 mijë fëmijë ndoqën shkollat, qëllimi i të cilave ishte të mbjellin kulturën e bardhë tek fëmijët autoktonë. Shumë prej tyre iu nënshtruan abuzimit fizik, mendor dhe seksual. Rreth 60 për qind e 139 shkollave rezidenciale drejtoheshin nga Kisha Katolike.

Ministri i Shërbimeve Indigjene, Marc Miller, tha se ka ardhur koha që kreu i Kishës Katolike të kërkojë falje zyrtare.

“Njerëzit presin që Papa Françesku ta bëjë këtë në një mënyrë të plotë, të kompletuar dhe gjithëpërfshirëse”, tha Miller gjatë një konference për media.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re