Më fund arritëm të shohim në dritë numrin e 100-të të revistës Shenja. Ky nuk është thjeshtë një numër, por ky numër do të thotë publikim i më tepër se 10.000 faqeve material. Ky numër dëshmon kujtime, emocione dhe përjetime të thella të 100 muajve së bashku me kolegët e stafit. Numrat e parë të revistës në vitin 2011 kapën një temë sa idealiste, po aq edhe kontroverse. Revista e shtroi debatin e bashkimit dhe format e bashkëpunimit ndërshqiptar. Tani, kur kemi arritur numrin e 100-të, debati i bashkimit kombëtar është shndërruar në një debat të shteruar dhe shqiptarët ose, më mirë thënë, politika shqiptare kurrë nuk ka qenë më e përçarë.

Sikur t’u bënim një skanim horizontal ndodhive politike në Ballkan, tri gjërat e para të cilat do të na binin në sy janë: migracioni, korrupsioni dhe kontestet ndërshtetërore akoma të pazgjidhura, gjëra këto që e prekin në palcë politikëbërjen shqiptare. Në anën tjetër, faktori ndërkombëtar ditë e më tepër disi po e humb kredibilitetin shkaku i politikave të vjetruara stabilokratike dhe politikave të shtrëngueshme të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Edhe pse Europa nuk vjen këtu, ne vazhdojmë të ikim drejt Europës. Radio Europa e Lirë citon se për 5 vjet më shumë se 170 mijë qytetarë shqiptarë e kanë lëshuar Kosovën. Kjo shifër vërtet t’i fut drithërimat, ngaqë të ikurit janë zakonisht shtresa e shtypur, gjegjësisht pjesëtarët e mbështetjes së opozitave shqiptare. “Në Maqedoninë e Veriut vetëm në vitin 2013 janë larguar mbi 20 mijë banorë dhe çdo i dyti qytetar i moshës 15 deri 39 vjeç mendon të largohet nga vendi”, citohet nëpër anketa. Sipas një studimi që ka bërë INSTAT-i, bilanci i migrimit kap shifrat e mbi 38.000 banorëve, të cilët e kanë braktisur Shqipërinë. Por, kjo ikje nuk është karakteristike vetëm për shqiptarët. Brenda BE-së, po ashtu, ka lëvizje të mëdha migruese. Edhe Kroacia, shtet ky në Ballkan, por pjesë e Bashkimi Europian, ka shënuar rënie të mëdha gjatë vitit 2017-2018. Gjatë këtij viti mbi 15 mijë persona migruar në Kroaci, kurse kanë ikur mbi 47 mijë persona, duke shënuar kështu një bilanc negativ mbi 31 mijë banorë.

Migrimi i madh ka krijuar një gjendje paniku nevoja të reja të rimendimit të organizimit shoqëror. Përpos ikjes, një fenomen tjetër i cili po i bjerrë për brenda shoqëritë shqiptare është korrupsioni. Në publikimin e raportit për korrupsion të vitit të kaluar, nga Transparancy Internacional, gjegjësisht të Corruption Perceptions Index, Shqipëria ndodhet në vendin e 36-të, edhe më keq se Kosova e Maqedonia, të cilat ndodhen në vendin e 37-të. Bosnja është më lart se në vitin e kaluar dhe kap notën 38, kurse Serbia atë 39. Nga shtetet ballkanike, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, Mali i Zi e kap notën e 45-të. Nga shtetet ballkanike, të cilat janë pjesë të BE-së, Bulgaria qëndron më së keqi, me notë 42, e ndjekur nga Greqia me notë 45, Romania me 47 dhe Kroacia me 48. Sipas kësaj radhitjeje, edhe Turqia ndodhet në vendin e 41-të të korrupsionit në botë. Edhe pse me rritje, ajo kap  notën 41 në indeksin e korrupsionit. Por, këto shifra janë të largëta në krahasim me Danimarkën me notë të indeksit 88. Pra, korrupsioni është kanceri më efektiv i shoqërive ballkanike, gjegjësisht shoqërive shqiptare, të cilët prijnë në korrupsion. Nën këto shifra të indeksit të korrupsionit vështirë është të flitet për “ideale” dhe “utopi”. Hiq më larg se para disa ditësh Maqedoninë e Veriut e ka pllakosur skandali i korrupsionit “reket”, ku përflitet të jetë përfshirë edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janjeva.

Tani, kur jemi në numrin e 100-të të revistës Shenja, dhe kur e vëzhgon trajektoren historike problemet shqiptare pothuajse kanë mbetur identike, përfshi këtu korrupsionin e lartë dhe shtimin e ikjeve që nga viti 2011. Për 8 vite radhazi nuk është ndryshuar asnjë aktor politik, oligark dhe, aq më keq, qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtyre aktorëve politikë nuk ka ndryshuar fare. Çdo mobilizim qytetar, qoftë simbolik, neutralizohet sa hap e mbyll sytë, ka tentakulat e pushtetit, fjalën e lirë askush nuk e dëgjon dhe me rritjen e mosbesimit në shoqëri ditë e më tepër po rritet konformizmi dhe hipokrizia. Në një gjendje të tillë të vazhdueshme të sundimit të oligarkëve të vegjël, defetizmit të shtuar nga paniku i shifrave drithëruese të ikjes, korrupsionit dhe mosbesimit ndaj institucioneve më relevante në shtet, po e mbyll në kafaz vullnetin politik për ta ndrydhur dhe shuar në tërësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re