Shqipëria ka shënuar viktimën e parë nga koronavirusi. Bëhet fjalë për 73-vjeçaren me iniciale Q.G., e cila ishte kthyer nga Italia.

E moshuara përveç koronavirusit vuante edhe nga sëmundje të rrugëve reparative që e bënë edhe më të vështirë shpëtimin e saj.

Por kur hyri në Shqipëri e moshuara, si u soll pas kthimit të atdhe dhe kush janë të infektuarit e tjerë që potencialisht la pas…?

Q.G., u kthye nga Bolonja e Italisë më 1 mars pasi kishte shkuar për të vizituar të birin, që prej vitesh jetonte atje. Nuk dihet nëse u infektua që në Itali apo rrugës për t’u kthyer në atdhe. Deri më tani qyteti i Bolonjas ka vetëm dy të vdekur.

Megjithatë ajo erdhi më 1 mars në fshatin Sukth të Durrësit ku edhe banonte. Madje shkoi edhe në një ceremoni mortore.

Shumë shpejt i nisën edhe shenjat e para, të cilat nuk u vunë re nga ajo pasi prej kohësh vuante nga mushkëria. Dy ditë më pas, e moshuara shkoi vetë në spital për të marrë mjekimin e zakonshëm për sëmundjen e saj, pa kuptuar se ishte e infektuar.

Mjekët vijuan që t’i shërbenin normalisht për më shumë se 5 ditë pasi ajo u shtrua si një e sëmurë kronike, pa iu treguar asgjë mjekëve se kishte udhëtuar në Itali. Dy ditë më parë ajo u “rrëfye” dhe me urgjencë u karantinua.

Pas pak minutash iu mor tamponi për t’u testuar nëse ishte pozitive me virusin Covid-19. Rezultati pozitiv ka dalë ditën e djeshme dhe që në atë moment janë izoluar menjëherë 30 persona, që kanë pasur kontakte me të duke përfshirë dhe mjekët e spitalit.

73-vjeçarja ndërroi jetë ditën e sotme, pa mundur as të niset për në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë. Por pas saj ka lënë edhe shumë të infektuar të tjerë, rezultatet e të cilëve do të dalin nga momenti në moment./ dosja.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re