VOLTIZA DURO/ Mjekët që punojnë në shtet do të duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë titullarit të institucionit shëndetësor publik ku ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë që të kenë mundësi për të punuar edhe në privat.

Sakaq, mjekët, që me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi ushtrojnë profesionin e tyre njëkohësisht në një institucion shëndetësor publik dhe në një institucion shëndetësor jopublik, paraqesin brenda 2 muajve një kërkesë për vijimin e kësaj marrëdhënieje, sipas formatit bashkëlidhur këtij udhëzimi. Kështu bëhet me dije në udhëzimin Nr. 481, datë 10.9.2024 “Mbi procedurat e verifikimit dhe shqyrtimin e kërkesës së mjekëve të institucioneve publike për të ushtruar profesionin në institucione jopublike, publikimin e të dhënave në regjistrin elektronik, formatin dhe mënyrën e përditësimit të regjistrit që ka hyrë në fuqi ditën e djeshme pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Sakaq, në rast se vetë titullari kërkon që të paraqesë kërkesë për të ushtruar profesionin në institucione shëndetësore jopublike, ajo i paraqitet për vlerësim dhe miratim sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë përgjegjëse për Shëndetësinë, i cili ndjek të njëjtën procedurë vlerësimi, të përshkruar në këtë udhëzim.

“Mjeku që kërkon të ushtrojë profesionin e tij edhe pranë një institucioni shëndetësor jopublik, në kërkesën e paraqitur duhet të përfshijë informacionin e mëposhtëm: emrin dhe mbiemrin; specialitetin (nëse ka); nëse është ose jo anëtar i personelit akademik në një institucion të arsimit të lartë (IAL) publik ose jopublik, duke dhënë edhe ngarkesën përkatëse, nëse ushton këtë funksion; institucionin shëndetësor jopublik ku dëshiron të ushtrojë profesionin; statusin e tij në institucionin shëndetësor jopublik (nëse është ortak/aksionar, administrator, i punësuar apo tregtar); specialitetin që kërkon të ushtrojë; kohëzgjatjen e kësaj marrëdhënieje (me afat ose pa afat); g) koha dhe orari gjatë së cilës mjeku ushtron profesionin në institucionin shëndetësor jopublik”,-thuhet në udhëzim. Nëse kërkesa nuk përmban të gjitha elementet e nevojshme, titullari i institucionit i jep mjekut një afat 5-ditor për plotësimin e të metave. Nëse të metat nuk plotësohen brenda këtij afati, titullari vendos mosshqyrtimin e kërkesës.

“Titullari i institucionit shëndetësor publik, gjatë vlerësimit për miratimin ose jo të kërkesës së mjekut, merr në konsideratë:

a) ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik;

b) ngarkesën mendore dhe fizike që kërkohet për llojin e specialitetit që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik dhe atë që kërkon të ushtrojë në institucionin shëndetësor jopublik. Për vlerësimin e këtij aspekti, titullari i referohet të dhënave shkencore të publikuara, që kanë të bëjnë me specialitete të ndryshme mjekësore, vendase dhe të huaja;

c) korrektësinë e mjekut në respektimin e orarit të punës, para paraqitjes së kërkesës;

d) mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në institucionin shëndetësor publik;

e) krahasimin e orëve mujore të punës që ushtron në institucionin shëndetësor publik, me orët e punës që propozon të ushtrojë në institucionin shëndetësor jopublik;

f) mundësinë e konfliktit të interesit;

g) nëse ka apo jo një pozicion drejtues në një institucion shëndetësor publik apo në Universitetin Mjekësor”,-bëhet e ditur në udhëzimin e Këshillit të Ministrave.

Bazuar në kriteret e sipërpërmendura, titullari i institucionit shëndetësor publik, brenda 10 ditëve, duhet të vendosë, në mënyrë të arsyetuar mosmiratimin e kërkesës; apo miratimin e kërkesës. Në rast miratimi të kërkesës, titullari i institucionit njofton Ministrinë përgjegjëse për Shëndetësinë, duke i bashkëlidhur kërkesën e mjekut, vendimin e arsyetuar, si dhe të dhënat e tjera të nevojshme për publikim në regjistrin përkatës.

Titullari i institucionit shëndetësor publik vendos mosmiratimin e kërkesës së mjekut, nëse nuk plotësohen kriteret e përmendura në këtë udhëzim. Kundër vendimit për mosshqyrtimin e kërkesës, sipas pikës 4, ose mosmiratimin e kërkesës, sipas pikës 6 të këtij udhëzimi, mjeku ka të drejtë të ankohet brenda 30 ditëve pranë Ministrisë përgjegjëse për Shëndetësinë, duke respektuar kërkesat e neneve 130– 135 të Kodit të Procedurave Administrative. Nëse titullari i institucionit shëndetësor publik nuk shprehet brenda 10 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës, mjeku ka të drejtë të ankohet pranë Ministrisë përgjegjëse për Shëndetësinë, brenda 7 ditëve nga përfundimi i këtij afati.

Ministri përgjegjës për Shëndetësinë, cakton një njësi përgjegjëse për vlerësimin e ankimit të paraqitur. Njësia përgjegjëse shqyrton ankimin, brenda një afati 10- ditor, dhe vendos për detyrimin e titullarit të shprehet, nëse është vendosur mosshqyrtimi i kërkesës.

‘Në raste të tjera, njësia përgjegjëse, mbasi shqyrton ankimin, brenda afatit 30-ditor, i propozon ministrit përgjegjës për Shëndetësinë:

a) miratimin e vendimit të titullarit të institucionit shëndetësor publik;

b) ndryshimin e vendimit të titullarit të institucionit shëndetësor publik dhe miratimin e kërkesës. 14. Ankimi i paraqitur sipas pikës 10 të këtij udhëzimi shqyrtohet nga njësia përgjegjëse, brenda 10 ditëve, e cila vendos t’i kërkojë titullarit të institucionit publik që të mbajë qëndrim brenda 5 ditëve.

REGJISTRI PUBLIK ELEKTRONIK

Regjistri Publik Elektronik përmban këto të dhëna për mjekun: emri; mbiemri; institucioni shëndetësor publik ku ushtron profesionin; specialiteti (nëse ka); nëse është e zbatueshme, të dhëna lidhur me punësimin e tij si personel akademik pranë Universitetit Mjekësor; institucioni shëndetësor jopublik, për të cilin është pranuar kërkesa për ushtrimin e profesionit; statusi i mjekut në institucionin shëndetësor jopublik (ortak/aksionar, administrator, i punësuar, apo tregtar); specialiteti që ushtron në institucionin shëndetësor jopublik; koha dhe orari gjatë së cilës mjeku ushtron profesionin në institucionin shëndetësor jopublik.

Në çdo rast që ka ndryshime në të dhënat në kërkesën e paraqitur ose të dhënat që publikohen në Regjistrin Publik Elektronik, mjeku njofton titullarin e institucionit shëndetësor publik, i cili ndjek, me ndryshimet përkatëse, parashikimet e pikave 3–5 të këtij udhëzimi, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës. Në rast mosmiratimi të këtyre ndryshimeve ose mosshprehjes nga ana e titullarit, mjeku ka të drejtë të ankohet sipas parashikimeve të pikave 9–14 të këtij udhëzimi.

/Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re