Udinese, një nga skuadrat e Ligës së Parë të Futbollit të Italisë (Seria A), ka nxjerrë në ankand fanellat e ndeshjeve me qëllim që të ndihmojë të prekurit e tërmetit në Türkiye dhe Siri.

Në deklaratën e publikuar në faqen e klubit të Udineses thuhet: “Pas tragjedisë së madhe të shkaktuar nga tërmeti që preku Türkiyen dhe Sirinë, Udinese Calcio dëshiron të marrë pjesë aktive në mbledhjen e fondeve për të ndihmuar dy vendet e prekura nga tërmeti. Klubi filloi menjëherë hapat e nevojshëm në këtë drejtim falë lojtarit të saj Tolgay Arslan”.

Thuhet se procedura e ankandit, e cila ka nisur dje në një faqe interneti, do të vazhdojë deri më 18 shkurt dhe të ardhurat do t’i dhurohen organizatës joqeveritare Ahbap me drejtimin e Tolgay Arslan.

Është raportuar se fanellat që do të dalin në ankand janë ato të veshura në ndeshjen ku Udinese barazoi 2-2 me Sassuolon në javën e 22-të të kampionatit si dhe një fanellë e firmosur nga të gjithë lojtarët.

“Udinese Calcio shpreson në pjesëmarrjen e gjerë të të gjithë tifozëve bardh e zi. Ne kemi nevojë që secili prej nesh të ndihmojmë këta njerëz që kanë humbur jetën, miqtë, familjet dhe shtëpitë e tyre. Le të mos ua kthejmë shpinën atyre”, thuhet në deklaratë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re