Në qytetin e  Beratit brenda muajit shtator do të nisë rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit të Velabishtit, i cili do të mundësojë furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm për banorët.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, tha për ATSH-në se “kemi përfunduar miratimin dhe është në fazën përfundimtare të tenderimit një projekt madhor për njësinë administrative siç është ujësjellësi i Velabishtit, që do të çojë ujin e pijshëm në çdo shtëpi në  fshatrat Velabisht,  Starovë, Remanicë dhe Veterrikut”.

Sipas tij, banorët do të kenë ujë cilësor, ujin e Bogovës me një rrjet të ri dhe do ta kenë në çdo shtëpi.

“Ky project ka 60 vjet që diskutohet është një investim i qeverisë prej 1.5 miliardë lekë”,- tha Demo.

Zona e projektit shtrihet në pjesën perëndimore të qytetit të Beratit, terren kodrinor dhe do të prekë direkt rreth 1350 konsumatorë  familjarë dhe biznese.

Kjo zonë është urbanizuar dhe zhvilluar informalisht në këto 30 vite dhe nuk ka infrastrukturë ujësjellësi. Furnizimi me ujë është informal dhe banorët kanë gjetur zgjidhje individuale për plotësimin e nevojave.

Projekti që do të investohet nga qeverisja qendrore parashikon rreth 10 km ndërtim të linjës kryesore, rreth 27 km  ndërtim të linjës shpërndarëse, ndërtimin e një  rezervuari, rikonstruksionin e stacioneve të pompave, rreth 27 puseta me kolektor shpërndarës si  dhe pajisjen me ujëmatës të konsumatorëve familjarë dhe privat  në masën 100%.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re