Kina njoftoi sot se do të mbrojë interesat e saj kundër kërkesës së Londrës që kompanitë britanike të përjashtojnë nga zinxhiri i furnizimit çdo mall të prodhuar nga puna e detyruar në rajonin kinez të Xingjian, raporton AP.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha se Pekini do të “marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin kombëtar dhe për të mbrojtur me forcë sovranitetin dhe interesat e tij të sigurisë”.

“Vende individuale, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë paguar, duke sajuar dhe përhapur qëllimisht gënjeshtra dhe thashetheme në mënyrë që të denigrojnë dhe diskreditojnë Kinën për të ashtuquajturat çështje të të drejtave të njeriut. Kjo ekspozon plotësisht hipokrizinë dhe synimet e tyre të mbrapshta për të kufizuar zhvillimin dhe përparimin e Xingjiang dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës”, tha Lijian.

Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha dje se qeveria britanike kishte lëshuar udhëzime për kompanitë britanike se si të kontrollonin nëse mallrat prodhoheshin nga puna e detyruar në Xingjiang, pas akuzave se Kina po shkelte masivisht të drejtat e ujgurëve dhe pakicave të tjera muslimane.

Raab tha se Londra donte të siguronte që “asnjë kompani që bën fitim nga puna e detyruar në Xinjiang nuk mund të bëjë biznes në MB dhe se asnjë kompani britanike nuk duhej të merrte pjesë në furnizimin e mallrave të tillë”.

Ai tha se dëshmitë në rritje, duke përfshirë dëshmitë dhe raportet nga grupet jofitimprurëse, vërtetuan akuzat për ndalime të paligjshme masive në kampet e punës në Xingjiang, punë të detyruar të përhapur dhe sterilizim të detyruar të grave.

 “Kjo dëshmi tregon për një praktikë barbare…”, tha Raab.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re