Nga: Leons Hasani

Ndërkohë që instancat më të larta të Bashkimit Europian vazhdojnë të reagojnë ashpër për sjelljen e qeverisë Kineze ndaj Ujgurëve, ende dhe sot është fakt që nuk kemi një distancim të kësaj të fundit nga aktet e presionit, shtypjes dhe dhunës ndaj Ujgurëve!

Shqetësimet e shumta të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për çështjen e Ujgurëve duket sikur nga dita në ditë bien vetëm në vesh të shurdhër. Dhe ndërkohë që e gjithë bota demokratike dënon politikat diskriminuese të qeverisë Kineze, dënon sjelljen perferenciale dhe diferencuese që ajo ju bënë njerëzve bazuar mbi etnin, racën dhe besimin fetar, ne ende shohim të njëjtën situatë dramatike të Ujgurëve.

Por cili është faji i Ujgurëve që të jetojnë të izoluar nëpër kampe përqendrimi, cili është mëkati i tyre që të detyrohen me forcë për të punuar punë të rënda, t’u hiqet e drejta për t’u arsimuar, për të praktikuar besimin e tyre dhe për të jetuar normalisht me familjen dhe fëmijët?

Ujgurët nuk kanë asnjë faj dhe asnjë mëkat për mënyrën sesi qeveria Kineze i trajton ata!

Raporti i partisë komuniste kineze me ujgurët historikisht ka qënë një marrëdhënie ku qartë mund të dalloheshin e vërteta nga e pavërteta dhe e drejta nga e padrejta. Dominimi me arrogancë dhe tendenca për ti defaktorizuar si popull, apo më keq akoma për të mos i konsideruar fare si një popull që duhet të gëzojë të drejta, nuk ka treguar gjë tjetër veçse sistemin e vlerave antinjerëzore që përfaqësojnë gjithmonë ideologjitë komuniste.

Ne dëgjojmë të flitet për një Kinë që zhvillohet në ekonomi, teknologji dhe ushtri, dëgjojmë se dhe investimet kineze mund të jenë të rëndësishme për vende me ekonomi të vogël, por nga ana tjetër nuk dëgjojmë edhe anën tjetër të medaljes, sistemin e vlerave që përfaqëson ideologjia komuniste. Dhe këtë më së miri mund ta mësojmë duke parë mënyrën sesi kjo ideologji i trajton Ujgurët në Kinë.

Për ta bërë më të kuptueshme për ne shqiptarët çështjen e Ujgurëve dhe për ta parë atë së pari, në këndvështrimin e dhimbjes që mund të përjetojë një popull i shtypur deri në frymën e fundit, dhe së dyti, në këndvështrimin e një rreziku që mund të preki këdo në të ardhmen vetëm për shkak të racës, ngjyrës apo besimit!

Le ta analizojmë në rrafshin e dhimbjes që mund të përjetojë kushdo prej nesh nëse do të na privohej liria për t’u shprehur, për të besuar, për t’u arsimuar, për të punar dhe jetuar i lirë në tokën ku kemi lindur. E për ta analizuar këtë mjafton ta mendosh veten për një moment të izoluar në një kamp përqendrimi, në një dhomë të ftohtë, pa kushte dhe pa ushqim, të bësh punë të detyruar, të mos shohësh të afërmit, të mos praktikosh besimin dhe në fund të të merren pronat, shtëpia e familja.

E analiza, në këndvështrimin e rrezikut real që mund të përjetojmë ne si popull shqiptar nuk duhet neglizhuar, por duhet parë gjithmonë me syrin kritik çdo lëvizje e qeverisë në marrëdhenie me vendet që kanë probleme të theksuara me shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut! Kjo me qëllimin për të parandaluar rënien në grackën e ideologjive që nuk i shërbejnë zhvillimit të shoqërive njerëzore, por përkundrazi i shërbejnë ngritjes së modeleve që i çojnë shoqëritë njerëzore në regres.

Është detyrim i çdo qytetari të lirë dhe të përgjegjshëm që të solidarizohet me vuajtjet dhe padrejtësitë që i bëhet Ujgurëve prej më shumë se gjysëm shekulli, por që në vitet e fundit këto ngjarje ndodhin me një dozë akoma më të rëndë dhe me një dorë akoma më të hekurt për të fshirë historinë dhe të drejtat e Ujgurëve.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re