Kompania kineze Huawei është bërë anëtare e agjencisë së sigurimit kibernetik të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC), pavarësisht akuzave se kompania është e përfshirë në zhvillimin e programeve të mbikëqyrjes për të persekutuar pakicën myslimane ujgure.

Huawei ka njoftuar se është bërë kompania e parë globale e teknologjisë që bashkohet me ekipin e emergjencave të OIC të njohur si OIC-CERT, e cila ofron mbështetje për vendet anëtare të prekura nga sulmet kibernetike dhe i ndihmon ata të ndërtojnë vetë sistemet e tyre të sigurisë kibernetike.

“Ky anëtarësim do t’i mundësojë Huawei të kontribuojë në mënyrë aktive në ekosistemin global të sigurisë kibernetike dhe të forcojë mbrojtjen kibernetike të Shteteve Anëtare,” tha Huawei në një deklaratë në Twitter në Lindjen e Mesme.

Dolkun Isa, kreu i Kongresit Botëror Ujgur me bazë në Gjermani, i tha Middle East Eye se ishte i befasuar kur dëgjoi për partneritetin midis Huawei dhe OIC.

“Eshtë për të ardhur keq që OIC, i cili pretendon të jetë zëri kolektiv i botës myslimane , po bashkohet me Huawei. Nëse OIC dëshiron të jetë zëri i myslimanëve në botë, ajo duhet të marrë një qëndrim kundër krimeve kineze kundër Ujgurëve, jo të marrë pjesë në një partneritet me një nga kompanitë e saj.”

Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e cila bashkon 57 vende me shumicë myslimane, nuk ka dënuar kurrë krimet kundër myslimanëve ujgurë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re