Afro 428 qytetarë nga Deçani i Kosovës kanë kërkuar ndihmë në qendrën shëndetësore të qytetit, teksa kanë shfaqur simptoma të helmimit.
Dyshimet e deritanishme për shkakun e helmimit janë tek një degë rajonale e furnizimit të ujit (Hidrodrini). Shqetësime e simptoma helmimi janë shfaqur nga banorët e disa fshatrave si Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.
Për këtë arsye autoritetet kanë vendosur të ndërpresin furnizimin me ujë (që prej të djeshmes) deri në daljen e rezultateve bio-kimike.
Për REL, kanë folur disa prej qytetarëve që janë ndier keq. Shkumbin Lushaj, ishte njëri prej personave që u helmua.
“Kemi që disa ditë që uji nuk po vije normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja… të cilat përveç meje i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
“Tek uji e kemi vërejtur që e ka pasur ngjyrën më të mbyllur dhe një natë më pas ka pasur sasi të madhe të klorit”, tha për median Zenel Kadrijaj, nga fshati Rastavicë.
Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan e ngriti alarmin të shtunën, duke parë numrin në shtim të të prekurve. Drejtori Selmon Berisha u shpreh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka marrë tashmë mostrat e ujit për analizat kimike e biologjike
“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.
