Duke komentuar njohjen nga Rusia të të ashtuquajturave republika Donetsk dhe Lugansk, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se e konsideron vendimin të papranueshëm.

Gjatë turit në Afrikë, Erdogan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në aeroplan gjatë rrugës nga Republika Demokratike e Kongos për në Senegal, dhe një nga pyetjet i referohej edhe krizës ukrainase.

“Për momentin nuk është e qartë se ku funksionuan të gjitha mesazhet e Shteteve të Bashkuara dhe veçanërisht çuditë në Konferencën e Mynihut. Sipas mendimit tim, Konferenca e Mynihut nuk shkoi përtej të qenit thjesht një samit i NATO-s. Ne jemi përpjekur sinqerisht të ulim tensionin në këtë krizë që në fillim dhe kemi thënë qartë mesazhet tona për zgjidhjen e krizës”, tha Erdogan.

Ai përkujtoi se Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë për zhvillimet e fundit deklaroi se vendimi i Rusisë për njohjen e të ashtuquajturave republika Donetsk dhe Lugansk ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Minskut.

“Ky vendim është një shkelje e qartë e unitetit politik, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ne e konsiderojmë të papranueshëm këtë vendim të Rusisë dhe u bëjmë thirrje palëve për sens të përbashkët dhe respekt të ligjit ndërkombëtar”, tha Erdogan.

Duke folur për turin afrikan, Erdogan tha se kjo ishte vizita e tij e dytë e gjerë në Afrikë në një periudhë të shkurtër prej katër muajsh. Ai tha se Turqia po punon për të kontribuar në zhvillimin e Afrikës në një bazë “win-win” dhe se po përpiqet të rrisë vëllimin e tregtisë me vendet e kontinentit afrikan.

Pas vizitës në Kongo dhe Senegal, ndalesa e fundit e turneut afrikan të Erdoganit është Guinea-Bissau.

“Qëndrimet e liderëve afrikanë ndaj Turqisë po bëhen më pozitive dita ditës. Mesazhi i tyre është se Turqia po vjen në vendet tona në bazë të favorshme. Në fakt, historia u përsërit. Në çfarë mënyre? Kur erdhën të parët tanë këtu, ata nuk dolën me logjikë koloniale. Përkundrazi, ata erdhën për të ndërtuar dhe rinovuar këto vende. Tani vijmë të ndërtojmë dhe rindërtojmë. Me kë? Me sipërmarrësit tanë”, tha Erdogan.

Presidenti turk foli edhe për marrëdhëniet me Arabinë Saudite.

“Ne duam të përmirësojmë marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite. Ne duam të përmirësojmë dialogun pozitiv dhe marrëdhëniet tona me hapa konkretë në periudhën e ardhshme”, tha Erdogan.

Duke iu referuar vizitës së ardhshme të presidentit izraelit Isaac Herzog në Ankara, Erdogan e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme.

“Vizita e zotit Herzog është shumë e rëndësishme për ne. Kjo vizitë përfaqëson një hap në marrëdhëniet turko-izraelite që mund të ndihet më vonë edhe në dimensione të tjera”, tha Erdogan.

Ai komentoi gjithashtu propozimin e liderit ukrainas Volodymyr Zelensky për samitin e përbashkët VSUN-Turqi-Gjermani.

“Nëse anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendet e tjera bien dakord, ne do të zëmë vendin tonë në këtë takim”, përfundoi Erdogan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re