Edhe kryeministri Albin Kurti shprehu shqetësim për atë që konflikti në Ukrainë mund të afektonte, apo më keq akoma, të zhvendosej në rajon. Për të, shpjegimi është i thjeshtë: Serbia.

“Ballkani s’është imun nga efektet e situatës në Ukrainë, sepse në Ballkan kemi një shtet që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe s’është rreshtuar me BE-në për ta dënuar agresionin rus dhe ajo është Serbia. Ne kemi kufi të gjatë me Serbinë që s’e njeh Kosovën.

Rusia me Serbinë kanë lidhje të forta dhe këto lidhje janë kulturore dhe ushtarake e ekonomike. Serbia ka 14 aeroplanë luftarakë Mig29, donacione nga Rusia dhe Bjellorusia”, tha kryeqeveritari i Kosovës në një intervistë për SkyNews-in britanik.

Ai bëri dhe një vizatim të Putinit, duke e quajtur atë si “president despotik që e urren NATO-n”.

“Të gjitha kompanitë ruse kanë degët e tyre në Serbi, dhe qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar që presidenti despotik Vladimir Putin do të provojë ta transferojë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta shndërruar në betejë të tij me demokracitë perëndimore”, tha ai.

I pyetur për deklaratat e Moskës se kosovarët kanë marrë pjesë në luftë krah ukrainasëve në rajonet lindore, Kurti tha se kjo shfaq tendencën e Putinit që ta shndërrojë luftën hibride në luftë klasike.

“S’ka kosovarë që kanë shkuar të luftojnë në Donbas. Putini po e përmend Kosovën çdo javë sepse ai e urren NATO-n, e urren Perëndimin, ai është lider despotik që është i hidhëruar dhe nostalgjik. Ai që do të shndërrojë luftën hibride në luftë klasike”, argumentoi Albin Kurti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re