Skip to content

Ukraina dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje për eksportet e grurit

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Ukraina dhe Rusia kanë arritur të premten marrëveshje për eksportet e grurit, nën ndërmjetësim të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka përshkruar paktin si “marrëveshje për botën”.

Marrëveshja e re – e nënshkruar në Stamboll – mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, teksa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.

Ukrainën e ka përfaqësuar ministri i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, ndërsa Rusinë, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Para nënshkrimit të marrëveshjes, Erdogan ka thënë se kjo marrëveshje do të ndihmojë në rritjen e sigurisë për ushqim dhe kontrollim të inflacionit në botë.

“Jemi krenarë që jemi të përfshirë në këtë iniciativë, e cila do të ketë rol të madh në zgjidhjen e krizës globale, që ka qenë në agjendë për kohë të gjatë”, ka thënë Erdogan.

Ukraina nuk ka nënshkruar marrëveshjen me Rusinë, por me OKB-në dhe Turqinë, derisa edhe Rusia ka vepruar njëjtë.

Mykhaylo Podolyak, këshilltari i lartë i presidencës ukrainase, ka thënë në Twitter se “nuk do të ketë bartje të grurit me anijet ruse, dhe as nuk do të ketë prezencë ruse në portet tona”.

“Në rast të ndonjë provokimi, do të përgjigjemi menjëherë përmes ushtrisë”, ka thënë ai, duke shtuar se inspektimet e transportit do të kryhen nga ekipe të përbashkëta në ujërat e Turqisë.

Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar disa burime të kenë thënë se do të rihapen tri porte ukrainase, duke përfshirë portin me të madh shtetëror të Odesas.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur njoftimet për marrëveshje, mirëpo Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se do të fokusohet në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për zbatim të saj./R.E.L

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë