Ukraina së bashku me Britaninë e Madhe, Afganistanin, Kanadanë dhe Suedinë i bënë thirrje të premten Iranit “që të jap shpjegim të plotë” rreth rrëzimit të avionit me “Fluturim 752” të Aviacionit Ndërkombëtar të Ukrainës një vit më parë.

Në një deklaratë, të publikuar në faqen e saj zyrtare, Ministria e Jashtme e Ukrainës kujtoi se aeroplani u rrëzua nga dy raketa ushtarake iraniane tokë-ajër pranë Teheranit më 8 janar 2020.

“Sot ne përkujtojmë ata që ranë dhe u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta të gjithë atyre që vajtojnë viktimat e tragjedisë PS752. Ne ndajmë pikëllimin me familjet, të afërmit dhe miqtë që humbën të dashurit e tyre”, tha ministria.

Ministria theksoi se përveç “një shpjegimi të plotë dhe të kompletuar të ngjarjeve dhe vendimeve që çuan në këtë rrëzim të tmerrshëm të avionit”, ajo do të donte të dinte se çfarë masash ndërmori Irani për të siguruar që incidente të ngjashme nuk do të ndodhin më kurrë.

“Vendet tona do të kërkojnë llogari nga Irani për të arritur drejtësi dhe për t’u siguruar që Irani t’u jap dëmshpërblime të plota familjeve të viktimave dhe vendeve të prekura”, tha ajo.

Boeing 737-800 i Ukrainian International Airlines u rrëzua pak pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini i Teheranit vetëm disa orë pasi Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit shkrepën disa raketa balistike që kishin në shënjestër trupat amerikane në Irak si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit të lartë iranian.

Rreth 176 njerëz vdiqën në aksident, duke përfshirë shtetas iranianë, kanadezë, ukrainas, suedezë, afganë, gjermanë dhe britanikë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re