Megjithë përpjekjet e saj, Ukraina nuk do të mund të marrë nga SHBA asnjë paketë ndihme përpara vitit të ri.

Senati amerikan i ka tejkaluar afatet për ta miratuar kërkesën e presidentit Biden brenda këtij viti, kështu që puna po vijon me synimin që masat të miratohen në fillim të 2024.

Kërkesa e administratës së presidentit Biden për 61 miliardë dollarë ndihma shtesë për Ukrainën është bllokuar në Kongres, pasi republikanët kërkojnë  më shumë detaje se si do të përdoren ato, ndërsa kanë vënë edhe kusht që Uashingtoni të forcojë masat e kontrollit përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Ashtu si në Europë emigracioni është një nga çështjet më të debatuara në politikën amerikane dhe përpjekjet për reforma dypartiake kanë dështuar vazhdimisht gjatë 20 viteve të fundit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u përball me një pritje skeptike nga republikanët gjatë vizitës së tij në Uashington javën e kaluar për të siguruar më shumë mbështetje.

Gjatë vizitës së Zelenskyt, presidenti Biden tha se nëse nuk miratohet kërkesa për fondet shtesë, kjo do të ishte dhurata më e madhe e Krishtlindjeve për presidentin rus Vladimir Putin.

Mbështetja e aleatëve perëndimorë ndaj Ukrainës që prej nisjes së agresionit rus rreth dy vite më parë ka qenë e madhe.

Por paqartësia se si shpenzohen paketat e mëdha të ndihmave dhe mos pasja e një rezultati të dukshëm në luftë ka zbehur mbështetjen dhe ka rritur skepticizmin. /

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re