I dërguari i Bashkimit Evropian në Kiev ka pranuar zyrtarisht pyetësorin e plotësuar në vetëm 10 ditë, për anëtarësimin e Ukrainës në bllok. Presidenti Volodimir Zelenski u shpreh se ky hap do të çonte në marrjen e statusit të vendit kandidat brenda javësh.

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ia dorëzoi pyetësorin Zelenskyy-t gjatë një vizite në Kiev më 8 prill, duke u zotuar për një fillim më të shpejtë të përpjekjes së Ukrainës për t’u bërë anëtare e BE-së, pas pushtimit rus të vendit.

 

Çdo shtet që  është bashkuar me unionin kaloi nëpër të njëjtën procedurë me pyetësorin, i vetmi ndryshim është se atyre iu deshën muaj dhe vite për ta plotësuar.

 

Pritshmëritë e Kievit tashmë janë që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat në 23 dhe 24 qershor, kur është planifikuar samiti i radhës i Këshillit Evropian e ku janë premtuar vendimmarrje pozitive edhe për Tiranën e Shkupin.

 

Edhe pse procesi i Ukrainës pritet të jetë disi më i shpejtë se ai i vendeve të tjera anëtare të BE-së, ende ka të ngjarë të jetë i gjatë. Kroacisë, anëtarit më të fundit të bllokut, iu deshën 10 vjet për t’u bashkuar me 26 vendet e tjera anëtare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re