Nga: Sali Shasivari

Nga të gjitha bisedat, debatet, komentet dhe “analizat” të cilat kam patur rastin t’i ndjek ditëve të fundit përkitazi me invazionin rus në Ukrainë, pjesa dërrmuese e tyre – me disa përjashtime të vogla – nuk i tejkalon kufijtë e ‘tifozerisë’ që zhvillohet nëpër odat, kafenetë, çajtoret dhe bastoret sportive shqiptare, me ç’rast: një grup insiston në faktin se ‘Rusia është armiku historik më i përbetuar i shqiptarëve…, sidomos, kur kemi parasyshë politikat ruse pro-serbe kundër shqiptarëve për vite dhe dekada me rradhë’…; një grup tjetër pohon duke thënë se, ‘vërtetë Rusia është armike historike, por, mos harrojmë se, Ukraina, përpos që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ajo, dikur, ndihmoi palën maqedonase për vrasjen e shqiptarëve të Maqedonisë’…; grupi i tretë ofshanë duke mallkuar ‘Evropën shtrigë’, e cila, ‘përreth qëndrimit serb pro-rus, ajo vazhdon ta përkdhelë Serbinë në të gjitha aspektet’…; grupi i katërt tërheq vërejtjen dhe alarmon, duke thënë se, ‘nëse vjen puna që Serbia – si rezultat i ndërsyerjes ruse – ta sulmojë përsëri Kosovën, Evropa, Amerika, dhe NATO-ja – kësaj rradhe – do t’i lënë të vetëm shqiptarët’…; grupi i pestë dyshon në qëllimet dhe premtimet amerikane ndaj ukrainasve, duke pëshpëritur se ‘e gjithë kjo është lojë dhe marrëveshje në mes Amerikës dhe Rusisë’…; grupi i gjashtë konstaton se ‘ky është kurth amerikano-evropjan për gjunjëzimin dhe fundosjen e Putinit dhe Rusisë në Ukrainë…; grupi i shtatë prognozon ‘zbehjen dhe dështimin e fuqive evropjane, si rezultat i krizës ukrainase, si dhe shpartallimin e NATO-s’…; etj. Këto, përreth bisedave, komenteve, debateve, dhe analizave tjera banale, të cilat nuk ia vlenë të përmenden në këtë kontekst…

Këto, si dhe shumë biseda, debate, komente dhe “analiza” tjera, të japin përshtypjen e ‘tifozerisë’ spektatoriale të zakonshme shqiptare që bëhet – deri në përmasa të grindjeve dhe zënkave – përkitazi me lojërat e Ligës së Kampionëve Evropjan, si dhe Kupës së Futbollit Evropian apo Botëror; apose, ‘tifozerisë’ edhe më të ashpër që e ushtrojnë shqiptarët përkitazi me partitë e tyre politike, ‘tifozeri’ kjo, e cila, përpos grindjeve dhe zënkave, shpeshherë mbaron me armiqësi dhe konflikte…!

Mbase, shqiptarëve, për fat të keq, në të shumtën e rasteve, përpos të qenurit ‘spektatorë’, ‘tifozë’, dhe ‘grindavecë’, nuk ju shkon shumë për dore të shikuarit e gjërave me sy real, kritik dhe konstruktiv, e aq më pak analizimi i përmbajtjeve, emërtimi dhe definimi i gjërave ashtu siç janë në të vërtetë, si dhe, nxjerrja e më të mirës prej tyre…; e, lere më, të mundohen të jenë ‘lojtarë’ aktiv, faktorë – sado të vogël – në ndryshimin e rregullave të lojës dhe kahjes së gjërave, si dhe pjesmarrës serioz në ofrimin e projekteve dhe alternativave konkrete…, kuptohet, në suaza të mundësive të tyre në nivel lokal dhe regjional…, të vetëdijshëm se, pesha dhe ndikimi i tyre në rrjedhat globale është barazi me zero… Realitet i hidhur ky, i cili shpjegon më së miri faktin se pse jemi – si popull – në këtë ‘derexhe’ në të cilën jemi…!

Andaj, në këtë periudhë ‘post-kovidiane’…; nën hijen e konfliktit të fundit ruso-ukrainas (pavarësisht se cili do të jetë epilogu i këtij konflikti)…; në momentet kur, dita ditës, po bëhet gjithnjë e më e qartë formësimi i një realiteti dhe sistemi të ri botëror, në të cilën do të kemi një Rusi më të dobët, një bllok perendimor më të paaftë, një Kinë dhe Indi si superfuqi në rritje, si dhe, disa fuqi tjera rajonale me potencial për përcaktimin e ekuilibrave global, në krye të të cilave është Turqia… Me një fjalë, në këto momente kyçe, në të cilat po bëhet gjithnjë e më e qartë lindja e një ‘bote multipolare’… Në raste të këtilla vendimtare, dhe, në funksion të ndryshimit të realitetit të hidhur që u përmend më lartë, shqiptarët, në vend që të merren me të kaluarën historike (përreth rëndësisë së saj në shumë aspekte) përkitazi me çështjet se, a thua vallë, popullit shqiptar, dëmet më të mëdhaja ia shkaktoi Perandoria Romake, Perandoria Bizantinase, Dinastitë Sllave të Ballkanit, Rusia Cariste (përmes ‘satelitëve’ të saj sllavo-ortodoks në Ballkan), apo Fuqitë e Mëdha Evropjane…; si dhe, në vend të ‘tifozerive’ të llojit që u përmendën në fillim të këtij shkrimi…; i gjithë debati publik, etnik, kombëtar, shtetëror, zyrtar, dhe diplomatik i shqiptarëve dhe shqipërive tona, duhet të orientohet drejt një pozicionimi më të mirë të kauzës së tyre kombëtare përkitazi me konstelacionet e reja gjeo-politike dhe gjeo-strategjike të cilat po krijohen; edhe atë, duke u fokusuar në çështjet që vijojnë:

1. Unifikimi i faktorit mbarëshqiptar në të gjitha aspektet dhe sferat, duke filluar nga aspekti identitar, kulturor, akademik, etj., deri te koordinimi dhe integrimi i plotë ekonomik, politik, diplomatik strategjik, dhe ushtarak. E, në këtë kontekst, nuk kam për qëllim vetëm unifikimin e platformave të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë Amë dhe Kosovës, por, në këtë proces duhet përfshirë domosdoshmërisht edhe shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Kosovës Lindore (Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc), shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Kalabrisë, si dhe shqiptarët e Çamërisë; duke mos harruar pa e përfshirë këtu edhe elementin kyç të trungut kombëtar, e që është ‘diaspora shqiptare’ anekënd botës.

2. Nxitja e një kampanje të koordinuar diplomatike mbarëshqiptare nëpër kryeqendrat perendimore kundër Serbisë, duke e shfrytëzuar pozitën e saj aktuale të palakmueshme karshi shteteve perendimore, për shkak të përkrahjes së saj të hapur ndaj pozicioneve aktuale ruse në lidhje me atë që po ndodh në Ukrainë. Në këtë kontekst, hapi i parë praktik dhe i domosdoshëm do të ishte tërheqja e Tiranës zyrtare – konkretisht, kryeministrit aktual shqiptar, Edi Rama – nga iniciativa e ashtuquajtur ‘Ballkani i Hapur’, iniciativë kjo, kumbar i së cilës konsiderohet presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiç.

3. Nxitja e një kampanje të koordinuar diplomatike mbarëshqiptare kundër Greqisë, e cila duket se po ‘flirton’ – si zakonisht – me aleatin e saj ideologjik dhe historik, Rusinë (nën hijen e lajmeve që flasin në lidhje me involvimin e mercenarëve grek përkrah forcave ruse në Ukrainë), si dhe, shfrytëzimin e këtij pozicioni ‘dyftyrësh’ grek për të nxjerrur në pah padrejtësitë dhe krimet historike greke ndaj çamëve, si dhe riaktualizimin e kauzës së çamëve dhe Çamërisë.

4. Shfrytëzimi i ‘paraleleve’ që u hodhën nga ana e disa zyrtarëve perendimorë përkitazi me Putinin dhe Millosheviçin (siç ishte rasti me kryeministrin britanik Boris Xhonson, i cili tha “Ka një analogji të afërt midis Putinit dhe Millosheviçit. Millosheviçi ishte i ngarkuar me idenë se Kosova është Serbi, ndërsa Putini thotë se Kievi është Moskë. Agresioni ndaj Ukrainës është i ngjashëm me agresionin e dikurshëm ndaj Kosovës”), edhe atë, në funksion të nxjerrjes në pah të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë…; e gjithë kjo, me qëllim të paditjes së Serbisë, dënimin e saj, si dhe kërkimin e dëmshpërblimit në lidhje me ato krime dhe atë gjenocid.

5. Përafrimi, koordinimi dhe krijimi i një aleance strategjike afatgjate mbarëshqiptare me Turqinë, si një fuqi e ardhshme e madhe rajonale me potencial për përcaktimin e ekuilibrave global mes ‘poleve’ te reja…; duke mos mjaftuar vetëm me aleancën strategjike me vendet perendimore, në krye me SHBA-të.

Përndryshe, nën hijen e ‘poleve’ dhe alencave të reja që po krijohen, shqiptarët dhe shqipëritë tona, si popull dhe vende të vogla që janë, rrezikojnë të shuhen, po qe se nuk kanë mbështetje të mirëfilltë nga palë dhe fuqi të cilat i tejkalojnë kufijtë e interesit të përkohshëm, siç është rasti i Turqisë; ku, përpos interesave gjeostrategjike, me popullin dhe shtetin Turk na lidh edhe historia, kultura, feja, dhe fati i përbashkët!

Sa më herët që ta kuptojmë këtë fakt dhe realitet, aq më mirë për ne…!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re