Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të përmbahen nga pranimi i kërkesës së presidentit rus, Vladimir Putin, për të paguar naftën dhe gazin rus në rubla.
“Nëse ndonjë vend i BE-së përkulet ndaj kërkesave poshtëruese të Putinit për të paguar naftën dhe gazin në rubla, do të jetë si të ndihmosh Ukrainën me njërën dorë dhe me dorën tjetër të ndihmosh rusët të vrasin ukrainasit. U bëj thirrje vendeve përkatëse të bëjnë një zgjedhje të mençur dhe të përgjegjshme”, shkroi Kuleba në Twitter.
Më herët, Putin tha se ai udhëzoi qeverinë të transferonte në rubla pagesat për burimet energjetike të Rusisë që vijnë nga “vendet jomiqësore”, ku përfshihen të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Duke folur në një takim me qeverinë në Moskë, presidenti rus tha se pasi SHBA-ja dhe BE-ja sanksionuan borxhin shtetëror rus në dollarë dhe euro, që në terma ekonomik do të thotë se ata shpallën një mospagim të detyrimeve të tyre financiare ndaj Rusisë, nuk ka mbetur asnjë arsye për të vazhduar përdorimin e këtyre monedhave.
Derisa komenti i presidentit Putin nxiti shqetësime për furnizimin me naftë, çmimet globale të naftës së papërpunuar sot u rritën mbi 5 për qind.
Burimi: AA