Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Rusia sulmoi të dielën me dronë Krivyi Rih-in, qytetin e lindjes së presidentit ukrainas, si dhe objektiva të tjera. Ky zhvillim vjen pasi Kievi mori sërish kontrollin e plotë të një qyteti strategjik në lindje të vendit.

 

Humbja e Limanit, të cilën Rusia e kishte përdorur si një qendër transporti e logjistike, është një goditje e re për Kremlinin ndërsa përpiqet të përshkallëzojë luftën me aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës, si dhe duke rritur kërcënimet për përdorimin e kapaciteteve të tij bërthamore. Përparimet e fundit të Ukrainës kanë vënë në vështirësi presidentin rus Vladimir Putin dhe kanë shkaktuar kritika të rralla të brendshme.

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se forcat e tij kontrollojnë tashmë Limanin.

 

Në Ukrainën jugore, në Krivyi Rih, qyteti i lindjes së zotit Zelenskyy, një dron i forcave ruse goditi një shkollë sot herët të mëngjes, duke shkatërruar dy kate të saj, tha Valentyn Reznichenko, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk.

 

Javët e fundit Rusia ka filluar të përdorë dronë të prodhuar nga Irani për të sulmuar objektivat në Ukrainë. Në jug të vendit, forcat ajrore ukrainase njoftuan sot se kishin rrëzuar gjatë natës pesë dronë të prodhuar nga Irani.

 

Sulmet ruse kishin si objektiv gjithashtu edhe qytetin e Zaporizhias, thanë autoritetet ukrainase të dielën. Po kështu edhe ushtria e Ukrainës tha sot se kreu sulme në postoblloqe të shumta ruse, depo municionesh dhe goditi dy sisteme anti-ajrore S-300. Njoftimet e fundit nuk mund të verifikoheshin menjëherë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë