Në një sulm me raketa të kryer nga ushtria ruse në qytetin Vinnytsia të Ukrainës thuhet se 21 persona, përfshirë tre fëmijë, kanë humbur jetën, si dhe 52 njerëz të tjerë janë plagosur.

Në një njoftim nga Shërbimi i Situatave Emergjente të Ukrainës thuhet se si pasojë e sulmit në qendrën e qytetit janë dëmtuar 55 ndërtesa.

Në njoftim po ashtu thuhet se në sulm kanë humbur jetën 21 persona, përfshirë tre fëmijë, ndërsa janë plagosur 52 njerëz të tjerë, 34 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Shërbimi po ashtu ka bërë të ditur se janë të zhdukur edhe 42 persona.

Zjarri i shkaktuar në njërën prej pikave të goditura thuhet se është përhapur në një parking automjetesh dhe se janë djegur 40 automjete.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, lidhur me sulmin ka reaguar nëpërmjet llogarisë së tij në Telegram.

“Rusia çdo ditë po shkatërron popullsinë tonë civile, po vret fëmijët ukrainas dhe po lëshon raketa në mjedise civile në të cilët nuk ka asgjë ushtarake. Nëse ky nuk është një akt i drejtpërdrejtë terrorizmi, çfarë është? Ata nuk janë njerëz. Janë një vend vrasës, një vend terrorist”, është shprehur Zelenskyy.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re