Zëvendës kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk njoftoi se 7.331 persona janë evakuuar ditën e fundit nga 2 korridore evakuimi.
Vereshchuk vuri në dukje se në 24 orët e fundit kanë funksionuar 2 korridore humanitare në qytetet Mariupol dhe Melitopol ku vazhdon lufta me ushtrinë ruse dhe se në rajonin Zaporizhzhia janë evakuuar 6.800 civilë nga Mariupoli dhe 531 të tjerë nga Melitopoli.
Ajo tha se vazhdojnë edhe punimet lidhur me konvojet e ndihmës, ku për të ndihmuar popullatën e Mariupolit janë dërguar 80 tonë ushqime, ilaçe dhe produkte të nevojës bazë në qytetet Berdyansk dhe Melitopol.
Sipas saj, përpjekjet për evakuimin e ukrainasve nga qytetet ku vazhdon lufta do të vazhdojnë edhe sot. Vereshchuk shtoi se në këtë drejtim do të zhvillojnë bisedime për evakuimin e civilëve nga rajonet Mariupol, Kiev dhe Luhansk.