Në Kharkiv të Ukrainës është ndërprerë energjia elektrike dhe uji për shkak të sulmeve të forcave ruse ndaj objekteve të infrastrukturës dhe termocentraleve.

“Situata e mbrëmshme u përsërit. Për shkak të bombardimeve u çaktivizuan objektet kritike të infrastrukturës. Si rezultat i kësaj u ndërpre energjia elektrike në Kharkiv, si dhe u ndërpre furnizimi me ujë”, njoftoi nga llogaria e tij në Telegram kreu i bashkisë së qytetit Kharkiv, Igor Terehov.

Dje, forcat e Rusisë sulmuan stacionet e energjisë në qytetet Kharkiv, Sumy, Poltava, Dnipro, Petrovsk dhe Zaporizhzhia, duke i lënë në errësirë ​​shumë vendbanime. Njësitë ukrainase e rregulluan problemin pas një kohe dhe u rikthye energjia elektrike.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i ka përshkruar sulmet në objektet e infrastrukturës civile si “sulme terroriste”.

“Pa gaz apo pa ju? Pa ju. Pa dritë apo pa ju? Pa ju. Etje apo pa ju? Pa ju. Pa ushqim apo pa ju? Pa ju. I ftohti, uria, errësira dhe etja nuk janë aq të frikshme dhe vdekjeprurëse për ne sa ‘miqësia dhe vëllazëria juaj’. Historia do të rregullojë gjithçka. Ne do të kemi gaz, dritë, ujë dhe ushqim, por pa ju”, tha Zelenskyy.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re