Në Ukrainë, 7 trupa të pajetë u nxorën nga rrënojat e shkollës në fshatin Zeleniy Gay, që u sulmua nga rusët, ndërsa 3 persona u shpëtuan të gjallë.

Në deklaratën e bërë në llogarinë në Facebook të Shërbimit Shtetëror të Emergjencave Nikolayev, njoftohet se më 13 mars rusët kishin kryer një sulm ajror në shkollën në fshatin Zeleniy Gay.

Bëhet e ditur se si pasojë e sulmit, ndërtesa e shkollës u dëmtua rëndë dhe ekipet e shpëtimit arritën rishtazi të përfundonin punimet nën rrënoja. Në deklaratë thuhet se “Ekipet e shpëtimit arritën në shtatë trupa të pajetë nën rrënoja dhe shpëtuan 3 persona.”

Podolyak: Ushtria ukrainase ka nisur një ofensivë kundër ushtrisë ruse në disa zona të vendit
Këshilltari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Mikhail Podolyak njoftoi se ushtria ukrainase ka nisur një ofensivë kundër ushtrisë ruse në disa zona.

Podolyak tha në Twitter: “Ushtria ukrainase kundërsulmoi në disa zona operacionale. Kjo do të ndryshojë rrënjësisht tendencat e palëve.”

Ai vuri gjithashtu në dukje se administrata ruse po përpiqet të gjejë aleatë që do t’i dërgojnë ushtarët e tyre të vdesin në tokën ukrainase.

Në Kiev goditet një pallat 12-katësh
Në sulmin e forcave ruse në kryeqytetin e Kievit, 2 persona kanë mbetur të plagosur, pasi copa shrapneli ranë nga një ndërtesë.

Sipas informacioneve të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës, copa shrapneli kanë goditur një pallat 12-katësh në qendër të Kievit.

Në pallat ka rënë zjarr, ndërsa është dëmtuar edhe një objekt aty pranë.

Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin dhe janë evakuuar 37 banorë të banesës, dy prej të cilëve të plagosur.

Edhe Kirilo Tymoshenko, zëvendës shef i zyrës së Presidentit të Ukrainës, në llogarinë e tij në Telegram, njoftoi gjithashtu se vetëm dje janë evakuuar afro 20 mijë persona nga Mariupoli nga korridori humanitar me automjete private.

Timoshenko vuri në dukje se disa nga të evokuarit arritën në rajonin Zaporozhe të Ukrainës.

Vritet kameramani i televizionit amerikan “FOX TV”
Nga ana tjetër, kameramani i televizionit amerikan “FOX TV” humbi jetën kur makina e tij u qëllua në afërsi të kryeqytetit Kiev.

Bëhet e ditur se Zakrzewski, i cili u raportua se kishte punuar në Irak, Afganistan dhe Siri, punonte në Ukrainë që nga fillimi i shkurtit.

Në të njëjtin sulm që ndodhi një ditë më parë, u njoftua se korrespondenti i luftës i kanalit të lajmeve “FOX News”, Benjamin Hall u plagos dhe u shtrua në spital.

Më parë ishte raportuar se një gazetar amerikan i quajtur Brent Renaud vdiq më 13 mars si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë që prej 24 shkurtit.

Në luftë janë vrarë 97 fëmijë dhe janë plagosur mbi 100 të tjerë
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës raportoi se 97 fëmijë janë vranë në sulmet e kryera nga ushtria ruse midis datave 24 shkurt dhe 15 mars në luftën Rusi-Ukrainë.

Në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se më shumë se 100 fëmijë janë plagosur si pasojë e sulmeve të kryera nga forcat e armatosura ruse në Ukrainë.

Gjithashtu në deklaratë bëhet e ditur se “Të paktën 5 fëmijë vdesin çdo ditë nga bombardimet”.

Luftanijet ruse bombardojnë Odesan
Anton Gerashenko, Këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, deklaroi se luftanijet ruse nisën një sulm në brigjet e Odesas rreth orës 03:00 me orën lokale.

Gerashenko në postimin e bërë në llogarinë e tij në Twitter, shkroi: “Pushtuesit rusë filluan të gjuanin me raketa dhe artileri nga anijet në brigjet e Ukrainës në rajonin e Odesas, afër fshatit Tuzla.”

Ai u shpreh se anijet po godasin me një intensitet me sasi të mëdha municionesh nga një distancë e largët, dhe shtoi: “Nuk ka pasur asnjë përpjekje për zbarkimin e trupave ushtarake.”

Mbyllet një pjesë e aeroportit më të madh të Rusisë
Aeroporti më i madh rus “Sheremetyevo” ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht disa nga terminalet e tij dhe ka ndaluar projektet e reja të investimeve.

Në deklaratën e bërë nga Aeroporti “Sheremetyevo”, thuhet se terminalet E dhe D janë mbyllur përkohësisht për shkak të uljes së trafikut të pasagjerëve si pasojë e sanksioneve.

Duke theksuar se edhe pista e tretë në aeroport ishte e mbyllur, në deklaratë shkruhet: “Masat e marra do të jenë të vlefshme derisa të arrihet një kthim (ndryshim) në vëllimin e trafikut të pasagjerëve”.

Për shkak të sanksioneve, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të mbyllin hapësirën ajrore për avionët rusë dhe Rusia zbatoi një vendim të ngjashëm sanksioni për këto vende.

Disa linja ajrore dhe kompani turistike në Rusi ndaluan fluturimet e tyre ndërkombëtare për shkak të rrezikut të sekuestrimit të avionëve rusë nga kompanitë perëndimore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re