Pas shpjegoi se si mund të kursehen 25 milionë euro nga RTSH-ja, Shehaj është shfaqur sot në një pikë shërbimi klienti të Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
Teksa merrte si shembull njërën prej tyre, kreu i Mundësisë deklaroi se vetëm kjo pikë shërbimi klienti u kushton qytetarëve 100 mijë euro në vit, ndërsa të gjitha bashkë marrin nga buxheti i shtetit rreth 40 milionë euro në vit.
“Dje isha te RTSH-ja dhe ju tregova se si nga 30 milionë euro mund të kursejmë të paktën 25 milionë euro, sigurisht pa e dëmtuar dhe ulur audiencën 0 pikë…përqind të RTSH-së. Më sulmuan gjithandej se dua thjesht të kursej paratë e qytetarëve duke luftuar shpërdorimin.
Këtu jemi përballë UKT-së, e cila i kushton qytetarëve shqiptarë plot 40 milionë euro në vit, për një shërbim që të gjithë e dimë se është skandaloz. UKT ka 1300 të punësuar, ndërsa Vodafone ka gjithsej vetëm 700. Të gjitha bizneset shkojnë drejt mbylljes së pikave fizike dhe drejt online-t, ndërkohë UKT krijon pika të reja të shërbimit të klientit. Kjo që kemi këtu pas, kushton minimalisht 100 mijë euro në vit. Imagjinoni UKT-ja ka hapur vitet e fundit rreth 20 të tilla”, tha Shehaj.
Kreu i Mundësisë thotë se do të vijojë t’u tregojë qytetarëve se si 1 miliard euro mund të kthehen te ata nëpërmjet uljes së taksave, duke ulur shpenzimet e panevojshme në administratë dhe institucione.
Në fund, ka edhe një mesazh për ata që e sulmuan për RTSH-në. Shehaj thotë se këta mbështetës të status quo-së, ndoshta do të thonë se Shehaj pasi mbylli televizionin kombëtar, tashmë kërkon t’i lërë shqiptarët edhe pa ujë
“Unë do vazhdoj t’u tregoj se si mund t’u kthejmë shqiptarëve 1 miliardë euro. Nuk e di çfarë do të shpikin këtë herë mbështetësit e status quo-së, mbase do të thonë se Shehaj pasi mbylli RTSH-në do të mbyllë edhe ujësjellësin, dhe Shehaj sipas tyre do t’i lërë shqiptarët pa ujë.
Ju ftoj të më ndiqni, ndiqni edhe mbështetësit e status quo-së, sepse është shumë domethënëse”, mbyll fjalën e tij kreu i Partisë Mundësia.