Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka kërkuar nga qeveria që të pezullojë punimet për resortin që po ndërton biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj në Rrjoll të Velipojës.
Komentet Qori i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se pezullimi i punimeve nga qeveria është i domosdoshëm deri në sqarimin e plotë të situatës.
Duke e quajtur Bashkim Ulajn një oligark, Qori tha se ai përmes shpronësimit të banorëve të Rrjollit, kërkon të ndërtojë resortin turistik dhe të fitojë miliarda.
- “Qytetarët e Rrjollit po i japin gjithë Shqipërisë në shembull të demokracisë së drejtëpërdrejtë. Një populli kur i shkelet e drejta themelore dhe prona është një e drejtë themelore, komuniteti ngrihet në këmbë dhe kërkon të drejtat e mohuara. Sigurisht këtu jemi para një grupi qytetarësh që kanë të drejtën e vet mbi pronën dhe një ujdie të pisët mes pushtetit politik dhe oligarkut Bashkim Ulaj që duan të ndërtojnë mbi tokat e qytetarëve një resort turistik dhe të fitojnë miliarda.
- “Banorët po ndjekin edhe procedurat ligjore, por në Shqipëri askush nuk do t’ja dijë për ligjin. Që do të thotë gjëja më e udhës që duhej bërë në kushtet e një antagonizmi të tillë nga ana e qeverisë, do të ishte që të paktën të pezulloheshin punimet në këtë resort, derisa të sqarohej çështja nga pikëpamja ligjore. Sepse aq shumë njerëz që luftojnë aq fortë përditë, pa pyetur për sakrifica dhe dhunohen njëherë nga Policia e Shtetit dhe njëherë nga Polici Private, që një Zot e di si mund të rrahin njerëzit në prani të Policisë së Shtetit, këta qytetarë nuk janë duke luftuar për teka, por për të drejtat e tyre ligjore”, tha mes të tjerash Qori.
Qori vijoi më tej duke thënë se ditën e djeshme, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi do të mbante fjalim në Parlament për problemin e banorëve në Rrjoll, por një gjë e tillë sipas tij nuk ndodhi për shkak të sherrit që nisi në Kuvend mes Agron Shehajt dhe socialistëve.
- “Dje deputeti ynë Redi Muçi fjalimin e kishte për Rrjollin, por nuk e lanë ta mbante sepse fillian të ziheshin. Edhe siç i bien shkurt këta që kanë pushtetin, po u zunë 2 vetë në Parlament, i mbyllin gojën 138 të tjerëve. Një mendësi e tillë për të shpronësuar pronarët e vegjël për t’ua dhënë pronën oligarkëve të mëdhenj me një vlerë nën atë të tregut, kjo është mendësi indigjene. OIigarku Ulaj është i Ramës dhe Berishës”, shtoi Qori.
Qori tha gjithashtu se partia që ai drejton do të nisë diskutime të shumta me qytetarët, me qëllim ndërmarrjen e disa iniciativave dhe ngritjen e 3 komisioneve parlamentare.
Qori tha se duke mos pasur numrin e nevojshëm të deputetëve në Parlament për të ndërmarrë këto nisma, do të nisin një seri diskutimesh publike, me qëllim që qytetarët të rrisin presionin ndaj deputetëv të partive të tjera politike, për të pranuar që të japin ‘OK’ për nismat e Lëvizjes Bashkë.
- “Në analizën tonë, qeveria dhe krejt sistemi i vjetër, shumica dërrmuese e qytetarëve po t’i pyesësh sot në rrugë, thonë ‘të gjithë këta janë derra, janë fundi i kazanit’. Kjo krizë legjitimiteti kërkon një alternativë që ka të bëjë me demokratizimin e sistemit politik, me depolitizimin e administratës publike dhe me një varg reformash ekonomike.
- Në Shqipëri disa njerëz janë bërë shumë të pasur, jo duke krijuar e investuar, por duke shpronësuar të tjerët. Ne duam të marrim iniciativën për ngritjen e komisioneve parlamentare për të hetuar koncesionet, përfituesit e statusit të investitorit strategjik dhe privatizimet e mëdha. Që ne të ngremë komisionin, do të na duhej një numër prej 35 deputetësh.
- Por nëse ne bashkëpunojmë me qytetarët, nëse ngremë një frymë mes qytetarëve, do të krijojmë presionin e mjaftueshëm ndaj përfaqësuesve të tjerë të Kuvendit, në mënyrë që ata ta kenë të vështirë të thonë jo. Në propozimin tonë dënimi maksimal për korrupsionin nuk duhet të jetë 12 vite sa është tani, por 20 vite. Ne duam të ashpërsojmë kodin penal, në mënyrë që të korruptuarit të druhen për të vjedhur pasuritë shtetërore”, përfundoi Qori.
