Fundjava erdhi me një lajm të mirë për vendin tonë. Këtë të shtunë u shënuan vetëm nëntë raste të reja me koronavirus.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha në daljen e saj të përditshme se në 24 orë janë testuar 231 të dyshuar, por nga këta vetëm 9 dolën pozitivë.

Një numër i vogël ky krahasuar me të premten, kur u numëruan 21 të infektuar të rinj.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar si bartës të virusit, ose të sëmurë me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 9 raste pozitive me COVID19. Nga rastet e reja 5 i përkasin Kurbinit, 2 raste në Kukës, 1 rast në Tiranë, 1 rast në Fier. Deri në këto momente janë testuar 5311 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 548 raste, pra rreth 10% e të gjithë të testuarve.”

Rakacolli foli për një kontroll shumë të mirë të epidemisë dhe një numër të mjaftueshëm të testimeve.

“Kjo shifër, e komentuar nga epidemiologët, tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm tesimesh për të vlerësuar situatën.”

Numri i të shëruarve vijon të jetë më i lartë se ai i të infekuarve aktivë.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 19 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 302. Aktualisht në vendin tonë janë 220 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet, numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje që prej 7 ditësh.”

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re