Ministria e Shëndetësisë konfirmon shtimin e mëtejshëm të rasteve me koronavirus në Shqipëri, mes tyre dy mjekë të Sanatoriumit.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino tha se janë 4
raste të reja të konfirmuara, në raportimin ditor lidhur me situatën e
COVID-19 në vend.

Ajo deklaroi se janë testuar në 24 orët e fundit 42 persona të
dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë
konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 605 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 55 raste:

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë- 38 raste

Durrës- 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)

Lushnje- 2 rast

Elbasan- 2 raste

Fier- 6 raste

Rrogozhinë- 2 raste

Prej tyre 25 janë të shtruar në spitalin Infektiv, nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina.

Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.

Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet
Ndroqi” (Sanatoriumi), kanë dalë pozitiv edhe dy raste personel
shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po
trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në
spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin
“Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë
pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore
dhe të vetëkarantinuar.

Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas
skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infetiv dhe
Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me
mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar
stafet mjekësore në terren.

“Dua të bëj një apel për mjekët të zbatojnë me kujdes masat mbrojtëse
për parandalimin e infeksionit.  Në lidhje me testimet, dua të them që
të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi
të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po
përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto momente.  Ju lutemi mos
shkoni menjëherë në spital!  Telefononi 127 kur keni shenja të
sëmundjes! Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi
social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e
infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe
për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në
shtëpi”, deklaroi Bino. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re