Edhe pse pati një rritje të vazhdueshme të normës së interesit për kredimarrësit, ristrukturimi i kredive vijoi rënien edhe gjatë gjashtë muajve të parë të 2023.

 

Kjo do të thotë se pavarësisht inflacionit, aftësia paguese e huamarrësve nuk ndryshoi në mënyrë aq të ndjeshme, sa të drejtohen në bankë për të kërkuar zgjatje të afatit të shlyerjes. Ekspertët e shpjegojnë këtë me forcimin e lekut në kursin e këmbimit.

 

ELVIN MEKA

EKSPERT BANKAR

 

“Pjesa më e madhe e kredive te familjet është për strehim. Kjo kredi merret në euro, ndërsa një pjesë e mirë e shqiptarëve të ardhurat i ka në lekë. I gjithë rivlerësimi i fortë i monedhës lekut gjatë vitit 2022 dhe 2023 ka shkuar në favor të këtyre kredimarrësve. Edhe sikur të ardhurat të mos jenë rritur, thjesht zhvlerësimi i euros me 15%, ka rritur 15% fuqinë paguese. Nëse kam një kredi 100 euro, me kursin e mëparshëm ishin 120 lekë, sot janë 106 lekë. Ky është shpjeguesi më i fortë që pavarësisht se kemi rritje të normave të interesit, rritja ka qenë e absorbueshme tërësisht nga kursi i këmbimit.”

 

Sipas ekspertëve, rënia në shifra e kredisë së ristrukturuar lidhet edhe me një sjellje më të përgjegjshme që shfaqin sot kredimarrësit.

 

ELVIN MEKA

EKSPERT BANKAR

 

“Çdo ndryshim që ka të bëjë me rishikimin e normave të interesit e jep një efekt në mënyrë të pashmangshme edhe në huatë e këqija. Për fat të mirë nuk është reflektuar kjo rritje kaq e fortë dhe kaq e shpejtë në një rritje të shpejtë të kredive të këqija. Ajo frikë që ekzistonte për një rritje të mundshme të kredive të këqija nuk rezulton e vërtetë dhe rritja është krejt e papërfillshme. Vëmë re klientë që janë më të përgjegjshëm në kthimin e  detyrimeve, por nga ana tjetër kjo flet për rregulla më të forta dhe analizë më cilësore nga ana e bankave në drejtim të huamarrësve.”

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e ristrukturuar gjatë gjashtë muajve të fundit ishte rreth 2 miliardë lekë, e përbërë kryesisht nga biznesi që ka hua në valutë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re