Në juglindje të vendit në përqindje të madhe banorët ngrohjen e sigurojnë përmes druve të zjarrit, ashtu siç ka një pjesë tjetër që kanë zgjedhur për ngrohje burime të tjera alternative. Nëse në stinën e verës një kubik me dru zjarri kushton 15 mijë lek të vjetra, gjatë këtyre ditëve çmimi shkon në 17 mijë.

 

Por sipas banorëve nuk përjashtohet mundësia që ky çmim të vijë në rritje, kjo edhe për shkak të ritjes së çmimit që bëjnë shfrytëzuesit e pyjeve. Po aq sa për çmimin në rritje të druve të zjarrit banorët janë të shqetësuar edhe për masën e kubikëve që vjen duke u zvogëluar.

 

Banorët tregojnë se vërtet çmimi nuk ka pësuar rritje të madhe por është zvogëluar kubatura. Ndoshta edhe për këtë janë të detyruar të marrin sasi më të madhe kubikësh për të përballuar stinën e ftohtë.

 

Një prej tregëtarëve me shumicë të lëndëve drusore që shërbejnë për ngrohje, Kostika Mulla, pranon se në verë çmimi për një kubik është 15 mijë lek, ashtu siç thotë se në këtë periudhë ky çmim shkon në 17 mijë lek të vjetra.

 

Nga ana tjetër, tregëtari nuk e përjashton mundësinë e rritjes së këtij çmimi nga ana e shfrytëzuesve të pyjeve në zonën e Librazhdit prej nga furnizohen.

 

Vetëm në qytetin e Korçës, gjatë stinës së dimrit bëjnë me dije burime zyrtare pranë bashkisë së qytetit juglindor, banorët konsumojnë për ngrohje 20 mije metro kub dru zjarri, ose e thënë ndryshe 60 mijë kubikë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re