IKMT ka nisur shembjen e banesave në Fresk, për shkak se preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Mes disa familjeve të prekura është edhe ajo Kolagji, të cilët pretendojnë se pronën e kanë blerë 30 vite më parë dhe janë në proces legalizimi.

Avokati i kësaj familjeje ka hedhur në gjyq IKMT dhe kërkon që të mos nisë shembja e banesave  pa pasur një vendim gjykate.

Një nga familjarët shprehet se kanë 30 vite që jetojnë në atë banesë dhe se ka 3 vendime gjykatash që vërtetojnë se prona është blerë nga ata.

“IKMT kërkon që të shembë ndërtesën tonë, sepse nuk jam vetëm unë, është vëllai, motra dhe prindërit e mi që jetojmë këtu. Jemi 4 familje, jemi 25 njerëz që jetojmë në këtë banesë. Më 1994 ne e kemi blerë këtë shtëpi, me vendim gjykate e kemi regjistruar banesën, ka 30 vjet që jetojmë këtu. Kemi tre vendime gjykatash, që vërtetojnë se këtë pronë e kemi blerë. Kjo pronë na takon neve, ka marrë formën e prerë. Jemi ende në proces me ASHK për regjistrimin e pronës, nuk kemi marrë ende përgjigje përfundimtare, kemi depozituar gjitha dokumentet që ka kërkuar ASHK-ja dhe jemi në proces. Jemi lajmëruar 2 vjet më parë për shembjen e ndërtesës. Ne kemi kërkuar dëmshpërblim, sepse prona nuk është e zaptuar, është pronë që e meritojmë. Prona është blerë, ne prisnim legalizimin për njërën nga ndërtesat. Kanë bërë shkelje ligji, nuk na japin certifikatë pronësie, në një pronë që ka qenë e hipotekuar. Më datë 16 na sollën vendimin e prishjes, që kishte marrë IKMT. Vendimi kishte afat deri më 20 shkurt, ne u konsultuam me avokatin tonë dhe vendimin e kemi ankimuar në gjykatë. Gjykata nuk është shprehur akoma. Gjykata duhet të thotë se vendimi është i ligjshëm apo i paligjshëm. IKMT nuk po pret të dalë vendimi i gjykatës. IKMT na ka thënë se banesa do të shembet, me hir apo me pahir. Këtu vetëm i forti dhe arroganti e krimineli bën hajër. Duam kohë që gjykata të thotë nëse kemi ose jo të drejtë”, tha një prej anëtarëve të familjes Kolagji.

Ndërsa, kryefamiljarja e familjes Kolagji tha se pronat janë bërë me mundim e djersë.

 

 

“Jam nëna e kësaj familjeje. E kemi bërë pasurinë në kurbet. I kemi rritur fëmijët me edukatë. Kemi punuar jashtë dhe kemi bërë shtëpitë këtu. Nuk kemi bërë asnjë shkelje në këtë shtet, e duam shtetin tonë, për të gjithë të jetë. Djali im është sëmurë, ka kaluar një problem në zemër. Është një djersë e madhe e hedhur këtu, kemi punuar 15 vjet në Greqi, me punë të ndershme. Ne duam kulturën dhe edukatën, këtu nuk ka drejtësi. Po të më kishte vdekur djali i sëmurë sot. Unë do iu vë flakën, do i djeg, jam me të drejtën e Zotit, kam dokumentet një qerre”, tha kryefamiljarja.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re