Dhjetëra banorë në zonën e Kodrës së Priftit protestuan këtë të martë për shembjen e banesave të tyre që preken nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës. Ata thonë se nuk kanë rënë dakord as për bonusin e qirasë dhe as për vlerën e shpronësimit.

 

Banorët shprehen se kanë pyetur përpara se të ndërtonin shtëpitë dhe aty nuk kishte plan rruge. Ndërsa prej më shumë se 10 vjetësh, po presin për certifikatën e pronësisë.

 

Prej 22 vjetësh çifti Denia jeton në këtë zonë. Shtëpia e tyre pritet të shembet dhe bazuar në këtë projekt, i cili sipas tyre ka devijuar, këmba e urës do të bjerë pikërisht në banesën e tyre.

 

E zonja e kësaj shtëpie thotë se kjo situatë i ka krijuar një stres të përditshëm. Deri tani në zonën e Kodrës së Priftit nuk ka filluar procesi i shembjes së banesave. Në total janë 40 shtëpi që preken në këtë segment nga ndërtimi i Unazës së Madhe, projekt ky që parashikon edhe shembjen e qindra banesave të tjera në zonën e Laprakës dhe të Paskuqanit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re