4 prill Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen në kantierin e ndërtimit të Unazës së re të Beratit, një nyjë e rëndësishme infrastrukturore, që do të lehtësojë ndjeshëm trafikun dhe aksesin për të hyrë në qytet.

Rama tha se “ky aks me një gjatësi prej 4.1 km, do të ketë një korsi të dedikuar biçikletash duke shërbyer edhe si një shëtitore për qytetarët”.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo u shpreh se projekti ka sjellë një transformim të jashtëzakonshëm për qytetin.

“Falë investimeve të kryera kemi shpëtuar zonën nga përmbytjet”, tha Demo.

Duke qenë se Berati është e vetmja ‘urë lidhëse’ për të shkuar në Çorovodë dhe Poliçan, rehabilitimi i këtij aksi lehtëson, afron dhe ndërlidh banorët e zonës si dhe shkurton kohën e lëvizjes drejt këtyre qyteteve.

Ndërhyrja në infrastrukturë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, rritjen e standardit dhe e bën më të prekshme zonën për turistët, kjo e fundit industria kryesore dhe gjithnjë e në rritje për qytetin. /m.m//a.a/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re