Filmi “A Married Woman” (titulli origjinal Une femme mariée) i realizuar në vitin 1964 nga regjisori i njohur francez Jean-Luc Godard, është shfaqur në kinema Millenium me praninë e aktores Macha Meril.
Filmi përfaqëson një prej pikave kulmore të kinemasë franceze të asaj kohe dhe një nga veprat më introspektive nderkohe del ne pah një pasqyrë të thellë mbi botën e brendshme të një gruaje të martuar, marrëdhëniet e saj intime, kontradiktat emocionale dhe presionet që i ushtrohen nga shoqëria patriarkale.
Ky prodhim kinematografik që tronditi shoqërinë e kohës ende pas shumë vitesh bën për vete audience të ndryshme përfshirë dhe audiencë në vendin tonë. Pas perfundimit te filmit në një intervistë për Fax News aktorja Macha Meril u shpreh se gratë kanë ndryshuar ashtu si dhe marrdhëniet mes grave dhe burrave.
“Gratë kanë ndryshuar, bota ka ndryshuar dhe marrëdhëniet mes grave e burrave po ashtu. Pas daljes së filmit, ne shkuam në Venecia dhe do të merrja një çmim por pati një reagim nga Vatikani. Ka pasur një lloj censure asokohe, Godardit, ju desh të hiqte disa skena. Filmi pati sukses sepse ishte i ndaluar. Në fillim quhej “Gruaja e martuar”. Censura na kërkoi ta ndryshonim titullin dhe ai u bë “Një grua e martuar”, tha Meril.
Në vitin 1964, “A Married Woman” u prit me debat të madh në Francë. Jo vetëm për shkak të përmbajtjes së tij provokuese, por edhe për formën filmike joortodokse që Godard kishte zgjedhur.
“Kur doli filmi ishte skandaloz. Tani nuk është më, sepse gruaja kontrollon trupin e saj, gratë nuk janë më në errësirë siç ishim ne atëherë. Unë jam një besimtare entuziaste e kinemasë. Kur kinemaja është e mirë dhe poetike, të arrin ty dhe nuk e harron”, tha Meril.
“A Married Woman” është një vepër që sfidon kohën. Është një pasqyrë e një epoke dhe një profeci për atë që do të vijë. Godard nuk i jep përgjigje pyetjeve, por i shton ato. Ai e paraqet Charlotte-n si një grua që jeton mes reklamave të reçipetave dhe artikujve filozofikë, mes dëshirës dhe fajit, mes asaj që është dhe asaj që duhet të jetë. Dhe ky është realiteti që shumë gra përjetojnë edhe sot.
Sot, në një botë ku po rishkruhen rregullat gjinore dhe po kërkohet drejtësi emocionale dhe seksuale, “A Married Woman” vazhdon të frymëzojë. Nuk është thjesht një film për një grua të martuar – është një reflektim për statusin e gruas në çdo kohë.