Dr. David Liska është një nga zërat më të shquar në luftën kundër kancerit të zorrës së trashë

Çdo të mërkurë në mëngjes, në orën 7, ekipi im i ekspertëve të kancerit mblidhet për një takim të “bordit të tumoreve”. Këtu diskutojmë një nga çështjet primare të komunitetit mjekësor: Pse po vdesin kaq shumë të rinj nga kanceri i zorrës së trashë?

Kjo tendencë filloi të vihet re rreth një dekade më parë, kur shumë pacientë të rinj në moshë po diagnostikoheshin me kancer të zorrës së trashë. Kanceri i zorrës së trashë, një sëmundje që zakonisht prek njerëzit mbi 50 vjeç, po godiste gjithnjë e më shumë moshat më të reja, në të 40-tat, 30 dhe madje edhe 20 vjeç.

Papritur, të rinjtë që duhej të ishin duke u përgatitur për  diplomimin në kolegj, duke ecur në altar, apo pkrijuar familjet e tyre, ulen përballë nesh, të habitur se si kanë përfunduar këtu.

Pas dhjetë vjetësh është bërë e qartë që kjo tendencë nuk është vetëm një e dhënë statistikore. Kanceri i zorrës së trashë me simptoma të hershme– kur sëmundja godet para moshës 50 vjeç – është duke u rritur në SHBA dhe në mbarë botën.

Edhe pse kanceri i zorrës së trashë në çdo moshë është një sëmundje e vështirë, ndikimi bëhet edhe më i madh kur godet të rinjtë në kulmin e jetës së tyre.

Më poshtë do ju paraqes gjithçka që ekipi im në Qendrën për Kancerin e Zorrës së Trashë në Moshë të re në Cleveland Clinic dimë për sëmundjen, çfarë qëndron pas rritjes së shifrave dhe çfarë mendojmë ne se mund ta ndalojë këtë epidemi globale.

Kanceri i zorrës së trashë është kanceri i katërt më i zakonshëm në SHBA dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri. Shoqata Amerikane e Kancerit parashikon që këtë vit 154,270 amerikanë do të diagnostikohen me kancer të zorrës së trashë dhe 52,900 do të humbin jetën. Sëmundja është gjithashtu shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën. Sipas Hulumtimeve për Kancerin në MB, çdo vit diagnostikohen 44,063 raste dhe 16,808  persona humbin jetën çdo vit.

Studimet tregojnë se në vendet e industrializuara si SHBA dhe MB, kanceri i kolonit në moshë të re po rritet me 2-4% çdo vit. Dhe që nga vitet 1990, statistikat e kancerit kanë treguar se kanceri i kolonit t është rritur me më shumë se 50%, duke e bërë atë shkakun kryesor të vdekjeve te burrat dhe shkakun e dytë te gratë nën moshën 50 vjeç.

Kanceri i kolonit shfaqet më shpesh në kolonin sigmoid, pjesa më e ulët e kolonit, para rektumit.

Cilat janë simptomat?

Një anketë e realizuar nga Aleanca për Kancerin e Kolonit zbuloi se pacientët e rinj me kancer të zorrës së trashë  në moshë të re shpesh përjetojnë ndryshime në zakonet e jashtëqitjes, siç janë diarreja ose konstipacioni, humbje pa shpjegim të peshës, lodhje dhe dhimbje abdominale.

Flamur i kuq, megjithatë, mbetet gjaku në jashtëqitje apo në letër higjienike. Nëse gjaku është i kuq, është “fillestar” ose ka ardhur nga poshtë traktit digjestiv, në kolonin sigmoid ose rektum. Megjithatë, nëse është më i errët ose i zi, është “më i vjetër” dhe mund të ketë ardhur më lart në kolon ose në stomak.

Një nga arsyet kryesore që kanceri i kolonit diagnostikohet shumë vonë, ose shpesh injorohet tek të rinjtë është se këto shenja mund të merren si simptoma të kushteve më të lehta dhe të zakonshme, si hemorroidet ose sindroma e zorrëve të irrituara.

Për shembull, afërsisht gjysma e amerikanëve zhvillojnë hemorroide të paktën një herë në jetën e tyre dhe një në dhjetë do të diagnostikohet me IBS. Edhe pse gjakderdhja rektale  është zakonisht e lidhur me hemorroidet, rritja e incidencës së kancerit të kolonit të nisur herët do të thotë që çdo simptomë shqetësuese tek individët e rinj nuk duhet injoruar pa kryer ekzaminime të mëtejshme.

Kjo humbje gjaku gjithashtu mund të shkaktojë anemi, e cila çon në lodhje.

Pse ka një shpërthim të rasteve te të rinjtë?

Faktorët e stilit të jetesës si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, dietat e pasura me mish të kuq dhe mish të përpunuar, jeta sedentare dhe obeziteti janë faktorë të rrezikut të dokumentuar për kancerin e kolonit.

Vitin e kaluar, një studim nga Qendra për Kancerin e Kolonit në Moshën të re e Cleveland Clinic ndihmoi për të sqaruar pse mishrat e përpunuar në hot dog dhe hamburgerat mund të jenë një problem.

Kolegu im Dr. Suneel Kamath dhe ekipi i tij morën mostra plazme nga 64 pacientë me kancer të zorës së trashë (kolonit) dhe zbuluan se pacientët e rinj kishin nivele më të larta të komponimeve të quajtura metabolite nga mishi i kuq dhe mishrat e përpunuar në gjakun e tyre.

Mendojmë se këto metabolite ndihmojnë në ushqimin e qelizave të kancerit dhe izolojnë qelizat normale, duke shkaktuar rritjen e tumoreve ndërkohë që qelizat e shëndetshme janë të privuara nga energjia që u nevojitet për të funksionuar normalisht.

Kjo mendohet se ndodh edhe me alkoolin.

Sa i përket obezitetit, hulumtimet më të fundit na tregojnë se mbajtja e një sasie më të madhe të yndyrës viscerale rreth organeve si koloni mund të krijojë inflamacion, i cili bën që qelizat e kancerit të formohen më lehtë.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e pacientëve të rinj të diagnostikuar me kancer të kolonit nuk i përmbushin këto profile tipike të rrezikut të lartë. Shumë janë në formë, kanë dieta të shëndetshme dhe nuk shfaqin rreziqe të zakonshme të stilit të jetesës si pirja e duhanit apo e alkoolit.

Ky paradoks tregon kompleksitetin e ekspozimeve mjedisore, që kontribuojnë në sëmundje, një fushë aktive kërkimesh, që ende ka shumë të panjohura.

Koncepte të tilla si “ekspozoma” – sasia totale e ekspozimeve mjedisore e një individi në mjedis është shndrruar në një kornizë e vlefshme për mënyrën se si predispozita gjenetike dhe mjedisi rrisin rrezikun e kancereve në moshë të re.

Studiuesit në Cleveland Clinic tani po përpiqen të kuptojnë se cilët faktorë mjedisorë që kontribuojnë në rritjen e kancerit të kolonit tek të rinjtë.

Disa kërkime tashmë kanë ngritur teza

Një rishikim nga Universiteti i Kalifornisë, San Francisco, i mbi 3,000 studimeve ka zbuluar se mikroplastikat mund të grumbullohen në kolon, duke shktuar prodhim në nivele të ulëta të mukusit, që është një një shtresë mbrojtëse. Nëse koloni nuk mund të prodhojë mukus, muret e zorrëve nuk mund të mbrohen nga kontaminantë si mikroplastikat dhe bakteret. Mukusi gjithashtu ndihmon jashtëqitjen të kalojë lehtë. Kur jashtëqitja grumbullohet në kolon, ajo irriton zorrën dhe inflammon shtresën e brendshme. Megjithatë, shumica e këtij territori është ende e paeksploruar.

A jam në rrezik?

Përveç faktorëve të rrezikut mjedisor që ende duhet të identifikohen, ekzistojnë disa kushte të trashëguara që predispozojnë pacientët ndaj kancerit të kolonit në moshë të re. Në fakt, rreth 15 deri në 20 përqind e rasteve të kancerit të kolonit që shfaqen herët lidhen me kushte trashëgimore. Shumica e këtyre janë të lidhura me sindromën Lynch dhe polipozën adenomatose familjare (FAP).

Sindroma Lynch është një gjendje gjenetike që ndodh kur gjenet që janë të përfshira në riparimin e ADN-së – gjenet e riparimit të gabimeve në ADN – ndryshojnë. Kjo e rrit ndjeshëm rrezikun që qelizat në organe si koloni të rriten në mënyrë të pakontrolluar. CDC vlerëson se një në 279 amerikanë ka sindromën Lynch. Për njerëzit me një histori familjare të këtyre kushteve, testi gjenetik dhe screening i hershëm dhe i shpeshtë, duke përfshirë kolonoskopitë, janë thelbësore për identifikimin dhe parandalimin e kancerit të kolonit.

Në disa raste, operacionet që reduktojnë rrezikun, si heqja e disa pjesëve ose edhe e gjithë kolonit, mund të jenë parandalimi më i mirë. Një histori familjare e kancerit të kolonit, sidomos kur ka lidhje me një të afërm, edhe pa një gjendje trashëgimore të njohur, e dyfishon rrezikun tuaj të përgjithshëm, prandaj është shumë e rëndësishme të njihni historinë tuaj. Një histori familjare e njohur e kancerit të kolonit mund të nxisë testimin gjenetik dhe kolonoskopinë, që mund të shpëtojnë jetë, edhe nëse jeni më të rinj se 45 vjeç, mosha aktuale e rekomanduar për screening.

Si diagnostikohet dhe kontrollohet kanceri i zorrës së trashë?

Diagnoza e hershme e kancerit të kolonit është thelbësore, pasi kanceret që zbulohen në faza të hershme shpesh mund të kurohen vetëm me operacion. Fatkeqësisht, kanceri i kolonit që shfaqet herët shpesh diagnostikohet në faza të avancuara, sepse të rinjtë janë më të prirur të injorojnë simptomat,  ose nuk kanë mbushur moshën për screening të rregullt. Kjo e komplikon trajtimin dhe ul normat e mbijetesës. Kur trajtohet herët, mundësitë për trajtim dhe kurim të suksesshëm janë shumë më të larta.

Lajmi i mirë në dekadat e fundit është që falë mjeteve të screening si kolonoskopitë dhe testet e jashtëqitjes, normat e kancerit të kolonit janë ulur tek njerëzit mbi 65 vjeç. Kolonoskopia është standardi i artë për diagnostikimin e kancerit të kolonit. Kjo përfshin futjen e një tubi të gjatë me një kamerë në në anus dhe kalimin e tij përmes rektumit dhe kolonit. Nëse mjeku gjen polipe gjatë ekzaminimit, ata do t’i heqin dhe do t’i testojnë për kancer. Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon që të bëni një kolonoskopi çdo 10 vjet duke filluar nga mosha 45 vjeç, megjithatë ky udhëzim nuk mbulon numrin në rritje të pacientëve në të 20-at dhe 30-at.

Testet e jashtme të jashtëqitjes si Cologuard janë bërë gjithnjë e më popullore, duke lejuar që njerëzit të marrin një mostër të jashtëqitjes së tyre dhe ta dërgojnë për të kontrolluar për gjak të fshehur ose ndryshime gjenetike, që mund të jenë një shenjë e kancerit. Megjithatë, nëse merrni një rezultat pozitiv në testin e jashtëqitjes, mund të referoheni gjithsesi për një kolonoskopi për të konfirmuar diagnozën.

Si trajtohet kanceri i kolonit?

Trajtimi i të rinjve me kancer të kolonit kërkon konsiderata speciale. Duke qenë se kushtet trashëgimore janë më të zakonshme tek pacientët e rinj me kancer, çdo pacient që diagnostikohet me kancer të kolonit në moshë të re duhet të kalojë teste gjenetike. Diagnostikimi i kushteve gjenetike si sindroma Lynch ose FAP mund të ketë implikime të mëdha, jo vetëm për pacientin, por edhe për të afërmit e tyre, pasi mund të parandalojë kanceret e mëtejshme në familje.

Pacientët e rinj me sëmundje metastatike – domethënë, kanceri është përhapur në zona të tjera – mund të përfitojnë nga trajtimi agresiv, duke përfshirë kirurgjinë për të hequr tumoret. Kujdesi psikologjik gjithashtu është një pjesë thelbësore e trajtimit, pasi kanceri në moshë të re mund të ketë ndikime të thella emocionale dhe shoqërore.

Shpenzimet e larta të trajtimit të kancerit, mbeten një tjetër sfidë me të cilën përballen shumë pacientë të rinj, që shpesh nuk kanë kursime të mjaftueshme dhe janë të varur nga pagat e rregullta për të mbijetuar. Mbështetja sociale është thelbësore për të adresuar këto ngarkesa financiare dhe për të ndihmuar pacientët të navigojnë në kompleksitetet e kujdesit për kancerin.

Për më tepër, që disa trajtime kanceri mund të ndikojnë në shëndetin riprodhues dhe seksual, është e rëndësishme që pacientët me kancer të kolonit të diskutojnë planet e tyre për lindjen e fëmijëve me mjekun dhe të dërgohen te specialistët e fertilitetit.

Ndryshe nga shumë pacientë të diagnostikuar tradicionalisht me kancer të kolonit, këta pacientë janë të fokusuar në zgjerimin e familjes së tyre, dhe ne duam të sigurojmë që ata të kenë çdo mundësi për ta bërë këtë. Qëllimi i ekipit tim është të optimizojë cilësinë e jetës për mbijetuesit e kancerit dhe të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme, që përshtaten me nevojat e tyre unike./ Përshatur nga Dailymail-shendeti.com

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko