Gjykata italiane ka dënuar dy “kokat” e bandave shqiptare në Itali. Elvis Demçe është dënuar me 15 vite burg ndërsa Ermal Arapaj me 10 vite.
Dikur miq të ngushtë dhe më pas kundërshtarë të fortë të njëri-tjetrit për vite me radhë udhëhoqën trafikun e drogës në Itali mes Romës, Acilia dhe Velletri, ku shpesh nuk kanë munguar as përplasjet me armë.
Elvis Demçe, i cilësuar si “Zoti i drogës” ishte dënuar me 18 vite burg me procedurë të shkurtuar në Itali, pas akuzave për trafik droge. Ndërsa Ermal Arapaj, një tjetër personazh i botës së krimit ishte dënuar me 16 vjet, raportojnë mediat italiane.
Gjykata e Kasacionit ka ulur me 3 vite dënimin e Elvis Demçes, ndërsa Ermal Arapaj ka përfituar 6 vite ulje.
Demçe, i cili është përfolur për lidhje të tij me grupin famëkeq italian Camorra, e kishte etiketuar veten: “Unë jam Zoti”.
Ndërsa Arapaj, i njohur si ‘Ufo’, bos i një bande rivale dhe dikur mik i Demçes, duke përfituar nga periudhat e burgimit të këtij të fundit, tentoi t’i vidhte territoret e trafikut të drogës. Një përplasje e dëshmuar nga ngjarje të ndryshme lajmesh duke përfshirë: pritën e Ermalit nga bashkëpunëtorët e Demçes në korrik 2020 dhe zjarrin në një vile në Arapaj në Velletri më 5 shtator të vitit të kaluar.
Hetimet për të dy shqiptarët u kryen nga prokurori Mario Palazzi dhe Francesco Cascini, ky i fundit ishte në shënjestër të Demçes që kishte vendosur ta vriste. Por veprimet hetimore vijuan dhe të dy përfunduan në pranga.