Banorët e Qerretit në Kavajë janë përplasur mëngjesin e sotëm me drejtorin e shkollës, për shkak se baza materiale për fëmijët e tyre është e vjetër, ndërkohë që edhe pse godina u ndërtua e re mungon uji, dhe xhamat e disa dritareve janë të thyera.

Edhe pse punimet kanë përfunduar prej më shumë se një viti e gjysmë, fëmijët do të mund ta gëzojnë shkollën e re vetëm këtë vit shkollor, ndonëse me bazë materiale të vjetër, ndërkohë që bankat dhe karriget janë pothuajse të thyera.

“Kanë sjellë ca plehra këtu, shkolla e re nuk ka as ujë, duan që ti fusin brenda dhe ti mbyllin sytë këtij komuniteti, do ta çojmë deri në Strasburg, ta di mirë edhe qeveria edhe Bashkia”, tha një prej banorëve.

Ndërkohë që banorët janë përballur dhe me drejtorin e shkollës, të cilit i kanë kërkuar llogari për moszbatimin e projektit.

“Unë i përshëndes të gjithë banorët, kam qenë dhe jam krah tyre, problemi është se në oborrin e shkollës nuk mund të lejohet askush pa autorizim, dhe të gjithë jeni pa maska”, tha drejtori i shkollës i cili maskën e tij e mbante poshtë hundës, gjë e cila duket se provokoi dhe reagimet e banorëve.

“Ne kemi bërë kërkesë për bazën materiale që do të futet brenda, janë komunikime me procesverbale, ne asgjë nuk kemi marrë me inventar, padiskutim, pse jo mund të sillet dhe bazë e re materiale. Ne jemi në dispozicion të autoriteteve më të larta që janë Bashkia dhe Ministria e Arsimit”, vijoi më tej drejtori i shkollës, i cili ndeshi më tej dhe në reagimin e banorëve, të cilët e akuzuan se po bënte propagandë.

“Drejtor ju po na vini këtu dhe po na bëni propagandë, jo maska, jo pa maska. Unë këtu kam ardhur për ankesën e kësaj shkolle, ujë jo, palestra për turp të zotit, ik shih shkollën e Golemit dhe krahasoje, unë se bie fëmijën tim këtu, unë jo të heq nga puna por të vë prangat. Të gjithë fëmijët janë bërë azmatik nga kjo shkollë këtu 120 vjeçare. Ke kërkuar dru nga bashkia? I kemi sjellë ne me çanta dhe me makina, për tu ngrohur nga shtëpia, lërini mos na bëni përralla”, tha një banor i irrituar.

Drejtori i shkollës tha se ai nuk ka asgjë në dorë, dhe se është në varësi të institucioneve të tjera.

“Mund të vini në zyrën time dhe të shihni shkresat që kam dërguar dhe nuk kam marrë përgjigje”, vijoi më tej drejtori.

Prindërit kërcënojnë se nuk do të lejojnë që fëmijët e tyre të marrin mësim në ambiente të tilla.

“Nëse nuk bie banka e karrige të reja, ne në datën 27 nuk sjellim asnjë fëmijë, dhe pas një jave ne këto banka e karrige do ia nxjerrim në rrugë të madhe dhe do ti tregojmë se kush është Qerreti. Hajde të nxjerri në internet edhe bankat e kësaj shkolle, Qerretin e kanë lënë pas dore për arsye politike, ne nuk duam që tia dimë nëse është krahu i djathtë apo i majtë”, shprehet një prej banorëve, njëherësh prind i fëmijëve.

Banorët thanë për gazetaren e Fax News Kloida Gjuzi, se pa bazë të re materiale, ata nuk do ti çojnë fëmijët e tyre në shkollë. Shkolla e re, e cila pritet që të nisë nga puna këtë vit, mbeti peng 1 vit e gjysmë i përplasjes së institucioneve, ndërsa prindërit shtojnë se fëmijët nuk duan të kthehen në shkollë, pikërisht për shkak të kushteve.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re