“Kam lexuar kaq shumë libra, por shumë prej tyre i kam harruar. Atëherë cili është qëllimi i leximit?”

Kjo ishte pyetja që një nxënës i bëri dikur mësuesit të tij.

Mësuesi nuk u përgjigj në atë moment. Megjithatë, pas disa ditësh, ai kishte në planin mësimor një shëtitje në natyrë me nxënësit e tij, ndërsa ai dhe nxënësi i ri ishin ulur pranë një lumi, ai tha se kishte etje dhe i kërkoi djalit t’i jepte pak ujë duke përdorur një sitë të vjetër të ndotur që dikush e kishte harruar aty në tokë.

Nxënësi u bind, edhe pse dinte se ishte një kërkesë pa asnjë logjikë.

Ai nuk mund ta kundërshtonte mësuesin e tij dhe, duke marrë sitën, filloi të kryente këtë detyrë absurde. Sa herë që zhyste sitën në lumë për të nxjerrë ujë për t’ia çuar mësuesit të tij, ai nuk mund të bënte as edhe një hap drejt tij sepse nuk mbetej asnjë pikë në sitë.

Ai u përpoq dhe u përpoq me qindra herë, por, sado që u përpoq të vraponte më shpejt nga bregu te mësuesi i tij, uji vazhdoi të kalonte nëpër të gjitha vrimat e sitës dhe tretej gjatë rrugës.

I rraskapitur, u ul pranë mësuesit dhe i tha: “Nuk mund të marr ujë me atë sitë. Më fal mësues, është e pamundur dhe e dija se do të dështoja në detyrën time.”

“Jo – u përgjigj mësues flokëbardhë duke buzëqeshur – nuk ke dështuar. Shikoje sitën, tani është si e re. Uji, duke u filtruar nëpër vrimat e tij, e ka pastruar atë”.

“Kur lexon libra – vazhdoi mësuesi –  ti je si sita dhe librat si uji i lumit”

“Nuk ka rëndësi nëse nuk mund të ruash në kujtesë të gjithë ujin që bëjnë të rrjedhë në ty, pasi librat gjithsesi, me idetë, emocionet, ndjenjat, mësimet e tyre, të vërtetën që do të gjesh mes faqeve, ata do të pastrojë mendjen dhe shpirtin tuaj dhe do t’ju bëjë një person më të mirë dhe të rinovuar. Ky është qëllimi i leximit. Leximi të pastron shpirtin”.

/shkollaesuksesit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re