“Ne nuk kemi asnjë kusht, as dush nuk kemi. Dritaret s’kanë as plastmas. Shkoj në fabrikë e mendjen e kam tek fëmijët. Dal në 6 e 25 të mëngjesit e kthehem në 4. Me kokën prapa dal nga shtëpia, e vij duke qarë nga fabrika.”

Kjo është një ditë e zakonshme për Mirianën, nënën e dy jetimëve në Laknas. Pas vdekjes së të shoqit, Miriana është e vetme dhe duhet të paguajë qiranë, dritat e ujin, borxhin e marrë për kurimin e bashkëshortit dhe të ushqejë veten e fëmijët… të gjitha këto dhe rroga e saj është 300 mijë lekë të vjetra.

Por përtej vuajtjeve e  vështirësive, një gjë i pikon në zemër Mirianës… frika se një ditë, nuk do të jetë aty për fëmijët e saj.

“Fëmijët e mi nuk njohin pazarin, të dalin, nuk njohin lodra, nuk njohin shoqe e shokë… tërë ditën rrinë këtu, në oborr. Nga e keqja i lë… pa babë e pa nënë fëmija se edhe mua thuajse nuk më kanë.

Kur vdiq im shoq… kur kanë vdekur tre pjesëtarët e familjes, bashkë me to kam vdekur dhe unë. Nuk i dilet dot e vetme.

S’mundem ta paguaj qiranë. Nuk më del, kam për të larë dhe një kredi. 300 mijë lekë të vjetra marr unë, duhet të laj qiranë, drita ujë e kredinë. Varfëria më ka mbuluar. Ai i zoti i shtëpisë kur vjen data 16 kërkon paret e veta, nuk do t’ja dijë se çfarë kam unë. Po unë ku do të shkoj, se ai mund të më nxjerrë nga shtëpia… po unë ku të shkoj, një nënë e vetme me dy kalamaj. Unë shpresën e kam të këputur, si njeriu i vdekur. Unë për veten time, nuk e dua më jetën. Nuk mund t’ja dal…

Unë do doja vetëm një dhomë ku të fus kokën, që fëmijët të mos i kapë shiu, të mos i vrasë i ftohti. Veç një dhomë, asgjë tjetër nuk dua. Ta di që nesër këta dy fëmijë, me mbyll sytë unë, i lash diku.”-tregoi nëna e dy jetimëve për “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re