Agjencia kulturore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNESCO, vendosi të enjten të mos e fusë Venecian dhe kanalet e saj historike në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

 

Qyteti italian, njëri nga destinacionet kryesore turistike në botë, ka qenë nën vëzhgimin e UNESCO-s kohëve të fundit, për shkak të turizmit masiv dhe rritjes së niveleve të ujit.

 

Por, gjatë takimit vjetor në Riad më 14 shtator, UNESCO – e cila e mban listën e trashëgimisë botërore, vendosi të mos e fusë atë në këtë listë.

Komitetit për Trashëgimi Botërore i kësaj organizate takohet një herë në vit për ta përditësuar listën, dhe shumë vende e konsiderojnë përfshirjen në listë si vendimtare për turizmin dhe mundësinë për të marrë fonde për ruajtjen e zonave historike.

 

“Komiteti ka marrë vendim të mos e përfshijë Venecian në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”, tha një burim për AFP.

 

Venecia është në rrezik nga rritja e niveleve të ujit, si pasojë e ndryshimit klimatik, numrit të tepërt të vizitorëve, sipas Lazare Eloundou Assomo, drejtorit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

 

Në listën e UNESCO-s janë 1.157 zona, nga të cilat 900 kulturore, 218 natyrore dhe 39 të përziera.

 

K vendim vjen në një kohë kur Venecia po planifikon ta bëjë me pagesë hyrjen për vizitorët ditorë nga viti i ardhshëm, në përpjekje për ta menaxhuar numrin e madh të turistëve që tërhiqen nga kanalet e saj historike, njoftoi të martën këshilli i qytetit.

 

Pagesa për hyrje në Venecia do të jetë pesë euro për vizitorët ditorë.

 

Pagesa do të vlejë si eksperiment për 30 ditë vitin e ardhshëm, dhe do të aplikohet në ditët e pushimit dhe fundjavat e verës kur numri i turistëve e arrin kulmin.

 

Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare duhet të paguajnë hyrjen./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re