Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) tha se “është thellë i shqetësuar” se ndërhyrja ushtarake e Rusisë ndaj Ukrainës do të “përbëjë një kërcënim emergjent” për jetën e 7.5 milionë fëmijëve.
Drejtoresha e përgjithshme e UNICEF-it, Catherine M. Russell në një deklaratë me shkrim tha se sulmet intensive në vijën e kontaktit kanë dëmtuar rrjetin e ujësjellësit dhe objektet arsimore në Ukrainë.
Ajo tërhoqi vëmendjen se dhjetëra mijëra familje mund të zhvendosen dhe nevojat humanitare do të rriten në mënyrë dramatike nëse konflikti nuk përfundon. “UNICEF është thellë i shqetësuar se përshkallëzimi i armiqësive në Ukrainë do të përbëjë një kërcënim emergjent për jetën dhe mirëqenien e 7.5 milionë fëmijëve në vend”, tha Russell.
Më tej Russell tha se UNICEF-i ka zhvilluar punime në lindje të Ukrainës për të përhapur programet që shpëtojnë jetë për fëmijët si dhe ka siguruar kujdes psiko-social për fëmijët.
Konflikti që vazhdon tashmë 8 vite ka shkaktuar dëme të mëdha dhe të përhershme tek të dy palët në vijën e kontaktit, theksoi Russell e cila shtoi se “fëmijët ukrainas tani kanë nevojë për paqe në mënyrë urgjente”.
Duke bërë të ditur se i përsërisin thirrjen kreut të OKB-së, Antonio Guterres për armëpushim emergjent, Russell kërkoi që të mos sulmohen infrastrukturat bazike që janë të lidhura drejtpërdrejt me fëmijët, përfshirë sistemet e ujit dhe atë sanitar si dhe institucionet shëndetësore dhe shkollat.