Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se që nga fillimi i nëntorit është ndërprerë qasja në ndihma humanitare për 2.3 milionë fëmijë në rajonin Tigray të Etiopisë ku vazhdojnë përleshjet.
Në një deklaratë nga UNICEF-i thuhet se miliona fëmijë në nevojë në Tigray nuk kanë qasje në ndihmat humanitare për shkak të përleshjeve.
“Qasja në ndihma humanitare për 2.3 milionë fëmijë në rajonin Tigray është ndërprerë që në fillim të muajit nëntor”, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet thirrje për qasje emergjente të vazhdueshme dhe pa kushte për ndihmat humanitare.
Gjithashtu në deklaratë autoriteteve u kërkohet të mos kufizojnë lëvizjen e civilëve të cilët kërkojnë vende më të sigurta.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore ka thënë se “Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar se sa më shumë të vonohet qasja e fëmijëve në ndihma aq më shumë do të përkeqësohet situata e fëmijëve. Duhet të jetë prioritet sigurimi i ndihmës humanitare dhe mbrojtja e fëmijëve të cilët shumica janë refugjatë dhe që janë zhvendosur brenda vendit”.
Në rajonin ku qindra persona janë zhvendosur për shkak të përleshjeve, OKB-ja dhe shumë organizata të shoqërisë civile presin leje nga qeveria e Addis Ababa-s për punime me përmasa të gjera për ndihmat humanitare.
Ushtria kombëtare e Etiopisë menjëherë pas sulmeve të rebelëve TPLF që drejtojnë rajonin filloi një operacion ushtarak më 4 nëntor. Si pasojë thuhet se mijëra persona kanë humbur jetën dhe rreth 50 mijë persona janë strehuar në Sudan.
