Universiteti Fan Noli, në juglindje të vendit, po përballet gjithnjë e më shumë me uljen e numrit të studentëve, ndërsa 6 degë, të shpallura tashmë prioritare, rrezikojnë mbylljen.

 

Rektori Dhimitër Bello e argumenton këtë me vështirësinë e programeve, por edhe mungesat në tregun e punës.

 

DHIMITER BELLO

 

REKTOR, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI”

 

“Janë 6 programe, kryesisht mësuesi, matematikë, fizikë, biologji por edhe në fakultetin e shkencave të natyrës. Kanë vështirësi si degë por edhe tregu i punës bëhet i vështirë.”

 

Në takimet me shkollat e mesme, është vënë re një rritje e interesit për shkak të bursës që premtohet në vlerën 40 mijë lekë si dhe tarifës 0 të regjistrimit, por gjithsesi mbetet për t’u parë se si do të shkojnë regjistrimet.

 

“Bursa do të jepet me kuota dhe do të përfitohet në tre vitet e studimit bachelor. Kjo e ka rritur disi interesin por heqja e mesatares do ta ndihmojë edhe më shumë sepse 8.5 është goxha e lartë.”

 

Programet gjuhë shqipe e letërsi, matematikë-fizikë, biologji, kimi e menaxhim në turizëm kanë numrin minimal të studentëve për të mbajtur hapur auditorët. Ndërsa në të gjitha programet, rreth 3 mijë studentë frekuentojnë universitetin “Fan S.Noli”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re