Në kuadër të ditëve të këshillimit të karrierës, Universiteti ‘Luarasi’ ka pritur maturantët e gjimnazit “Kristaq Rama”. Dekani i Fakultetit Ekonomik, Sherif Bundo, dekani i Fakultetit të Teknologjisë dhe Informacionit, Gentian Hoxhalli dhe zëvendës dekania e fakultetit të Drejtësisë, Blerina Shkurti, iu prezantuan të rinjve përparësitë e studimit te Universiteti ‘Luarasi’, duke i këshilluar edhe mbi si të marrin vendimet për të ardhmen e tyre. Për Bundon, zgjedhja e tyre do të jetë vendimtare për atë që duan të arrijnë.
“ Ata kanë mundësinë që me zgjedhjen që bëjnë, të marrin vendime me karakter racional për të plotësuar ëndrrën që kanë. Ata duhet të marrin informacione të ndryshme për vendimmarrjen e tyre, që të mos jetë emocionale. Zgjedhja e tyre ka të bëjë më të ardhmen, profilin dhe karakterin e tyre dhe me integritetin profesional”, tha dekani Sherif Bundo.
Universiteti ‘Luarasi’, lider në fushën e edukimit dhe me një sërë programesh konkurruese, ka lidhur marrëveshje ndërkombëtare që iu ofron të rinjve diploma evropiane duke studiuar në Tiranë.
“Kanë filluar prenotimet e vendeve në avancë për kuotat që ne kemi për programet e studimit të London School of Economics. Unë i ftova maturantët që kush ka mesatare të lartë, ata që janë maturantët elitarë, ta përzgjedhin sepse përzgjedhin, një shkollë me diplomë ndërkombëtare është me rëndësi. Ne si qendër ekselencë e London School of Economics në Ballkan, kemi programe studimi në gjuhën shqipe dhe angleze për degët e Financës dhe Administrimit të Biznesit” tha Bundo.
Universiteti ‘Luarasi’ mban vazhdimisht konferenca ndërkombëtare me profesionistë, nga universitete evropiane dhe britanike, sikundër edhe takime për këshillimin e karrierës, duke takuar mundësitë e mëdha me ëndrrat e mëdha.
